Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e ardhshme synon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes ekonomike në Kosovë, përfshirë pagën e 13-të për administratën shtetërore dhe masa për përballje me çmimin e energjisë elektrike.
Kurti thotë se me Ligjin e ri për Buxhetin e vitit 2026 parashihet paga e 13-të për të gjithë shërbyesit publikë.
Sipas tij, normalisht paga e 13-të do të duhej të jepej në fund të vitit, por një nga vendimet e para të Qeverisë së re do të jetë që kjo pagë të jepet në fillim të vitit, sapo të formohet qeveria dhe të votohet ligji për buxhetin.
Kurti tha për KosovaPress se sa më herët të formohet qeveria, aq më herët do të realizohet edhe pagesa e 13-të.
Mbetet të shihet nëse Qeveria e re do të formohet këtë muaj dhe më pas të merret vendimi për dhënien e pagës së 13-të, apo kjo do të ndodh tek në muajin shkurt.