Të ndihmoni fëmijën tuaj të eliminojë pelenat dhe ta mësoni të përdorë oturakun është një hap i madh dhe i rëndësishëm për ju si prindër, por edhe për fëmijën.
Sekreti i suksesit është të prisni derisa të dalloni shenjat se fëmija juaj është gati për këtë hap, transmeton Telegrafi.
Të dashur prindër! Nëse dëshironi t’ua hiqni pelenat fëmijëve tuaj, fillimisht duhet të mendoni a është gati fëmija juaj për këtë. Dhe te qenit gati do të thotë që fëmija juaj të jetë i pjekur fizikisht dhe mendërisht mjaftueshëm për të kontrolluar muskujt e organeve të tij dhe për të kuptuar lidhjen midis kryerjes së këtyre nevojave me aftësinë personale të vetëkontrollit.
Pasi të vendosni që pelenat duhen eliminuar, duhet të mendoni edhe për një “trajnim” të fëmijës si të përdorë oturakun apo WC-në.
Shumë nëna provojnë t’u heqin pelenat dhe t’i vendosin fëmijët në oturak qëkur këta mësojnë të rrinë ulur, por përgjithësisht kjo është një përpjekje e dështuar.
Në këtë kohë, fëmija nuk është ende i pjekur mjaftueshëm për të njohur ose dalluar stimulin që i vjen nga fshikëza e urinës apo nga zorra. Dhe akoma më pak arrin të bëjë lidhjen midis këtyre nevojave dhe faktit të të qenit ulur në oturak. Nëse ky “operacion” del me sukses, kjo ndodh vetëm falë rastësisë.
Mos nxitoni të hiqni pelenat, sepse do t’i hapni më shumë telashe vetes dhe fëmijës tuaj. Të edukosh një fëmijë mbi pastërtinë dhe higjienën është shumë më e vështirë sesa ta mësosh të hajë, pasi jeni ju që shqetësoheni për pastërtinë, jo fëmija.
Deri në moshën 15-muajshe, fshikëza e urinës dhe zorra shkarkohen në mënyrë automatike dhe fëmija nuk shfaq ndonjë interes mbi këto procese.
Vetëm në muajt pasardhës fëmija do të tregojë interes duke u parë dhe prekur, duke kuptuar që ai “pellg” nën këmbë varet krejtësisht dhe vetëm prej tij.
Gjithsesi, fëmija nuk ka ende kapacitetin për t’u përmbajtur, por të paktën ka kuptuar lidhjen midis këtyre proceseve dhe mundësisë së kontrollit nga ai vetë.
Pikërisht në këtë moment, ju mund të hiqni pelenat dhe pastaj të filloni ta ulni fëmijën në oturak, por pa pritur që përpjekjet të jenë menjëherë të suksesshme.
Përdorimi i parakohshëm i oturakut nuk është tregues suksesi për zhvillimin e fëmijës apo për kujdesin dhe pastërtinë tuaj si nënë. Përkundrazi, shpesh lodh fëmijën, i largon dëshirën, e bën më kokëfortë dhe përpjekjet tuaja dështojnë. Fillimisht fëmija mund ta pranojë përdorimin e oturakut si ndonjë karrige të re e të çuditshme, por pas pak kohësh do të mërzitet.
Këmbëngulja e prindërve dhe akoma më keq përdorimi i dënimeve në rastet e mospërdorimit të oturakut, janë dy teknika të padobishme dhe të gabuara, të cilat dëmtojnë zhvillimin e fëmijës dhe marrëdhënien tuaj me të.
Sa më shumë të keni durim që fëmija të jetë gati, aq më shpejt do të mësojë ai këtë element higjienik.
Jepini kohë të mësohet me oturakun, veçanërisht nëse nuk ka motra apo vëllezër më të mëdhenj nga të cilët të ketë parë funksionin e tij.
Shpjegojini fëmijës se për çfarë shërben oturaku dhe lejojeni atë të ulet, madje herët e para ndoshta dhe me mbathjet e veshura.
Ka shumë rëndësi edhe lloji i oturakut që zgjidhni: duhet të jetë i rehatshëm, i qëndrueshëm (përndryshe mund të rrëzohet e frikësohet kur të ulet) dhe, pse jo, duhet të jetë i këndshëm/argëtues (p.sh. si një makinë apo karrige mbretërore).
Dieta ushqimore. Përdorni sa më shumë ushqime me fibra dhe ujë, në mënyrë që fëmija të mos vuajë nga kapsllëku, çka do të vështirësonte më shumë përdorimin e oturakut.
Nata është edhe më e vështirë. Është mëse normale që fëmija, edhe kur ka mësuar të kontrollojë urinimin gjatë ditës, të ketë vështirësi dhe të mos arrijë të zgjohet në kohë natën duke lagur shtratin (zakonisht deri në 3-4 vjeç, por ka raste edhe deri në 6-8 vjeç).
Akoma për disa muaj të tjerë, duhet të vazhdoni të përdorni pelenat gjatë natës.
Mos e kritikoni, mos e ofendoni apo tallni fëmijën dhe mos i jepni të pijë shumë lëngje para se të flejë, transmeton Telegrafi. Vetëm kështu do të shmangni telashet.
Vihet re një dallim në përdorimin e oturakut: vajzat e përdorin më shpejt se djemtë. Në çdo rast nguliteni mirë në kokë se deri në 2-2.5 vjeç duhet të përdorni pelenat, sidomos gjatë natës.