Kur mësuesja nuk guxon të dalë hapur, por guxon të thotë të vërtetën…

- Advertisement -

Thirrje urgjente Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve arsimore nga një mësuese që kërkon ndryshim rrënjësor në sistem: provime më të drejta, lëndë për sjelljen, më shumë mbështetje për mësuesit dhe rikthim i dinjitetit të shkollës.

Thirrje urgjente drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe të gjithë institucioneve përgjegjëse për sistemin arsimor.  

- paragrafi 1 -

E nderuar Ministre e Arsimit,

- Advertisement -

Të nderuar drejtues të institucioneve arsimore,

Po ju drejtohem me një thirrje të fortë dhe të sinqertë, si një mësuese që e dashuron profesionin dhe që çdo ditë përpiqet të japë më të mirën për nxënësit e saj, por që sot ndihet e brengosur dhe e pafuqishme përballë një sistemi që ka nevojë për ndryshim të menjëhershëm.

Mënyra e zhvillimit të provimeve të minimaturës dhe maturës është një sistem i dështuar. Provimet duhet të administrohen dhe të vlerësohen nga vetë mësuesit e lëndës, të cilët njohin nxënësit, nivelin e tyre dhe e kanë ndjekur progresin gjatë gjithë vitit. Mësuesi administrator, që nuk njeh nxënësit, nuk ka pse të përballet me stresin dhe përgjegjësinë e situatave të vështira. Ky model vetëm e rrit presionin dhe cenon sigurinë e mësuesve.

- Advertisement -

Kërkoj që programet mësimore të rishikohen thellësisht, duke shtuar më shumë përmbajtje praktike, më shumë orë edukimi dhe aktivitete argëtuese me rregull. Të futet urgjentisht një lëndë për sjelljen, me peshë në dëftesë, ku nxënësi vlerësohet me notë dhe nuk kalon klasën nëse nuk respekton rregullat bazë të sjelljes dhe bashkëjetesës në shkollë. Mos shpenzoni më miliona për trajnime teorike që nuk ndryshojnë realitetin. Investoni konkretisht për të ndërtuar një brez më të mirë, me vlera dhe me vizion.

Mësuesi është bërë tabelë qitjeje në çdo situatë problematike. Nxënësi sillet keq? Mësuesi fajësohet. Prindi ankohet? Drejtori kërkon llogari mësuesit. Dhe përgjigjja e vetme që marrim është: “Gjej mënyrën për të komunikuar”. Por kjo nuk është zgjidhje! Mësuesi nuk duhet të bartë mbi supe të gjithë barrën e dështimeve të sistemit. Ai ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme, për të shkëlqyer dhe për të pasur sukses në misionin e tij fisnik.

Sot, shumë mësues, përfshirë edhe mua, pyesim veten çdo ditë: A do të mundem të vazhdoj kështu? A do të arrij të dal në pension si mësuese në këto kushte? Sepse, përballë lodhjes fizike dhe shpirtërore, përballë mungesës së respektit, përballë të rinjve që thonë: “S’na duhet shkolla, s’na hyn në punë”, është e vështirë të gjejmë forcë.

Na duhet një ndërhyrje e menjëhershme për të motivuar fëmijët që të duan dijen, të duan shkollën. Sepse kjo nuk është vetëm sfida e mësuesit, por e gjithë shoqërisë. Mësuesi mund të ndryshojë shumë, por jo i vetëm. Duhet bashkëpunim i të gjitha forcave: institucionet, prindërit, komuniteti.

Sinqerisht, po e shkruaj këtë letër me lot në sy dhe frikë të thellë për të ardhmen e brezave të rinj. Po shohim përditë rënie të vlerave, përçmim ndaj autoritetit, dhunë, shpërfillje dhe një humbje të madhe të lidhjes mes shkollës, familjes dhe fëmijës. Duhet të veprojmë tani, para se të jetë vonë.

Ndryshoni sistemin arsimor! Jepuni mësuesve besimin, sigurinë dhe dinjitetin që meritojnë. Jepuni nxënësve arsimin që i përgatit për jetë, jo thjesht për nota. Dhe jepuni familjeve një arsye për të besuar se shkolla është vendi ku ndërtohet karakteri i një kombi.

Me shqetësim të thellë dhe shpresë për ndryshim të menjëhershëm…

Anonime 

Një mësuese që nuk dorëzohet, por kërkon të dëgjohet!

© Portali Shkollor