E diel, 24 Nëntor, 2024

Kur mësuese Fitorja tallte: Hana na ke sjellë ndonjë morr sot në klasë?

- Advertisement1-

Ilir Seci

Kam kenë në klasen e pestë, stina ka kenë pranverë, e mbaj mend stinën sepse ajo qe ndodhi atë ditë mu duk se e pati nxi edhe bukurine e pranveres malësore…

- Advertisement -

Edhe atë ditë si për ditë bamë rreshtimin ne oborrin para shkollës tetëvjeçare, komandatja e çetës se pionierëve e dha komandën dhe u futëm nëpër klasa…Orën e parë kishim landën e gjuhës shqipe…Lânda që e kisha ma inat e ma, nga tana landët e mesimit. Jo se nuk mesoja, sepse kam kenë nxanës shumë i mirë, por e kisha inat se me dukej sikur na e mesonim me zor nji gjuhë që nuk e fliste kurrkush ndër tanë njerezit që njihja, në rrethin familjar, në rrethin farefisnor e ma gjanë në tanë rrethin shoqnor. Gjuhën Letrare si e thirrshin. Këtë pakënaqesi ia pata shprehë njiherë babës tem…nji natë vjeshte kur baba kishte vndue kazanin me pjekë rakinë në oborr të shpisë. Asokohe kazani merrej me rend, krejt katundi kishte vetëm nji kazan prandaj duhej me e pjekë shpejt e shpejt rakinë për me ia lëshue rendin shoqit. Baba rrinte tue pjekë rakinë disa ditë e netë rresht dhe nji natë unë iu luta babes me ndejte çuet me të te kazani. Natën vone, kur ishim vetem në oborr ia diftova babës pakënaqësinë teme per gjuhen letrare. Baba u mendue pak, më kqyri drejt e tha :

-“Bir, këto gjana mos ia thuej kujt, kurrkujt tjeter. Po biro ke të drejte me kenë i paknaqun…Gjuha letrare asht vendose me detyrim. Vendim partiak, nuk asht marreveshje gjuhëtaresh as studiuesish.” Dhe aty baba me diftoi se ideja e nji gjuhe letrare ishte ne fakt ide e vjeter qysh nga rilindasit…ishte provue me u vendose ne vitet 30-te por kishte pase kundershtime dhe Mbreti Zog nuk kishte nderhy me vendose pa dvetë kënd si bani Enveri me standartin e vitit 1972…

-“Ia kanë ba me të pa drejtë Gegnisë” – tha Baba, – ”nuk na asht mohue vetëm gjuha, por na asht mohue edhe tanë ai kontribut i madh në kulturën shqiptare….kontributi i klerit katolik që mohohet krejtiskreti. As përmendet kund At Fishta që asht poeti kombetar…”
Ato fjale mu gdhenden ne mendje pse erdhen si pergjegjie e dyshimeve të mia per gjuhen standarte…Sa herë me binin ndermend ne oren e gjuhes letrare…
Mu kujtuen edhe ne orën e parë të asaj dite pranvere, kur u ulem nëpër bankat që u kërcitshin tana gozhdat. Vetem kercitja e gozhdave ndihej para fillimit të orës se gjuhes, tanë klasa heshtnin. Heshtnin sepse mesuesja e Gjuhës ishte msuesja ma e frikshme e tanë shkollës. Të tanë i trembeshin asaj. Deri edhe vetë drejtori i shkolles i trembej. Ajo bante ligjin. Sepse ajo mesuese ishte prej poshti. “Prej poshti” – në Malesi thuhej per ata qe kishin ardhe nga rrethet e jugut.

Por kjo nuk ishte arsyeja kryesore pse të tane i trembeshin msuese Fitores. Arsyeja pse të tanë i trembeshin asaj ishte se mesuese Fitorja e kishte burrin te madh në Degën e Brendshme. Kjo gja e shpjegonte friken e drejtorit dhe tanë keshillit pedagogjik. Kjo gja shpjegonte pse nderpritej e qeshuna e grupit te mesuesve sa afrohej kolegia e tyne Fitorja. Çkado me kenë tue fole mesuesit nderveti, sa afrohej kolegia e tyen Fitorja menjihere ndrrohej tema, kputej ne mes e qeshuna dhe nji nga nji të tanë mesuesve u kujtohej se kishin harrue pa krye ndonji gja, kush me shkrue diçka në ditar e kush me rishikue edhe njihere korrigjimet e provimit…Mesuese Fitorja që e kish të shoqin të madh në Degën e Brendshme jo vetem qe nuk bezdisej nga kjo gja por mesa kishim verejte ndjente knaqsi prej frikës që ngjallte. E shijonte pushtetin e dhanun prej të shojt…Pushtetin qe ia jepte Dega e Brendshme…

Dega e Brendshme…ishte ajo siperfaqja e rrethueme me plepa mbrenda mureve te nalta, ne lagjen “Partizani”. Me oborrin aq të frikshem sa na dukej sikur edhe ajri i qytetit druhej me hy mbrenda atyne mureve të Deges. Edhe ajri druhej me hy aty sepse kushdo qe hynte aty nuk mund delte ma i lirë…Edhe ajri ngjante sikur donte me ike prej aty. Këtë bindje frike e perforconin edhe plepat mbrenda oborrit te Degës që tanaherat dukeshin si të vyshkyn, sikur nuk kishin ajër sa duhet. Malsoret me ate mekanizmin e tyne mbijetues ia kishin ndrrue emnin Deges tue krijue eufemizmin “Te Plepat”…”Rri se po te çojmë te Plepat.” – ishte kercenimi që i bante femijet me u palue në gjume pa ba fjalë…
Njatë friken e femijeve qe paloheshin ne gjume sa u permendeshin Plepat ma kujtonte nxitimi i mesuesve sa afrohej kolegia Fitore…Edhe faj nuk kishin me u drue se i shoqi i saj ish i madh te Plepat…
Si gjithëherë në heshtje u hap dera dhe mesuese Fitorja shkoi te tavolina e saj. Bani apelin tue u talle me secilin nga nxanesit qe ia thirrte emnin, “Fatmir, pse ia shpie bukën dëm familjes?”, “Artan kur i ke larë sitë herën e fundit?”, “Hana na ke sjellë ndonjë morr sot ne klasë mo?”…

- Advertisement -rrrrrrr

Mbas apelit mesuesja nxori fletoret nga çanta, kishte ba korrigjimin e hartimit te fundit…
Nji nga nji ngriti ne kambë secilin tue i diftue gabimet qe kishin ba… kur mbrrini nga mesi i kapicës se fletoreve thirri Hanën që e talli per morrat kur bani apelin…

-“Hana fletoren e hartimit tënd e kam hapur gjithë frikë se mos kishte ndonjë morr brenda.”
Heshtje…vetem nja dy vajza qe njiheshin si servile te mesueses provuen me qeshë por e qeshuna e tyne ishte ma shume si kuisje bushtrash. Shumica e klases u ndie keq…U ndiem keq sepse na e dinim qe e Ama e Hanës vuente nga nje semundje e randë dhe kishte muej qe ishte e shtrueme ne spital ne Tiranë. Edhe i shoqi i saj kish mbetë atje me gruen e femijet kishin mbete mbas se keqi. Ishin gjashtë fmijë, 5 vllazen e nji moter dhe Hana në klase te peste ishte e vetmja femen ne atë shpi…Kush me u kujdese per ta!? …Normal qe kishin me i mblue morrat. Jetonin ne nji nga katundet rreth qytetit, asokohe katundet ngat qytetit shkonin ne tetevjeçare ne qytet dhe u duhej me ba disa ore në kambe perditë, dimen dhe verë, shi e borë, hangër e pa hangër… Por keto gjana nuk i hynin në sy mesuese Fitores qe tallej pashpirtesisht me Hanën e shkretë pse ia patën gjete nji morr nji dite kur banë kontrollin e pastertise ne shkolle.

-“Hanë, pse e ke shkruar prapë “Uki” në vënd që të shkruash “Ujku?…Moj kafshë po sa herë të kam thënë mesohu te shkruash me mbaresën “u” aty ku është mbaresa “i”?”

Hana si duket e fyeme sa nuk mbante ma nga permendja e morrave, u ngrit e i tha :
-“Msuese na “uki” i thom kendej ka Malsia. Ju prej poshti i thoni “ujku” punë per ju, vazhdoni me i thane “ujku”, nuk u detyrojme me e thane si na. Secili ta mbajne te vetën.”

E pamësueme me ndigjue kundershtime, mesuesja u shtang…per disa sekonda u bukos dhe nuk diti se çka me thanë. Mbasadnej si tanë njerezit qe kane pushtetin e krijuem me frikë, u turr drejt bankes së Hanës. Rresht per disa minuta kercitën shpullat ne faqet e Hanës.

-“Moj maloke e trashe…kujt ia thua atë ti moj?, Ore o të bej une ty njeri o do të ta nxij jetën.” – ulerinte mesuejsa qe e kishte humbe fillin…
-“Perzo kur të duesh nisja se ma zi se e kam jeten s’mundesh me ma nxi.” – ia ktheu Hana…Fyemja e mesueses ia kishte prekë ndonji nerv dikund çikës malsore sepse edhe mbas tane atij rrebeshi shputash, ajo nuk po nxirrte pikë loti.
Fap, fap, fap…u shtuen shputat…

-“Do të të ngordh në dru moj korbë derisa të thuash “Ujku” – ulërinte mesuesja…
-“O pasha Tyrben e Shkelzenit edhe në kopsh si krypa në prush njet se kam me i thanë ndryshe veç “Uki”…Ti kur të duesh kop.” – ia ktheu Hana e mbledhun grusht…

Ulërimat e mesueses jehuen në tanë shkollën :
-“Çfarë bëj une këtu me keta njerez të trashë mor aman? Kemi ardhur nga ane e anes burrë e grua per t’iu qytetëruar…Dhe as per nder nuk na e dini…Malokë të trashë.”
Dhe breshni i shpullave vazhdonte tue ra në faqet e Hanës…U hap dera e klases dhe hyni drejtori…
-“Mesuese Fitore çka është problemi?”
-“Ik qërohu birbo…edhe ti si këta je.”
Drejtori kishte ngri ne derë…as ishte ai qe rrinte as ai qe ikte. Mesuesja vazhdoi me e rrahë Hanën derisa iu lodhen krahët. E Hana tane kohën nji pikë loti se qiti…
***
Do kujtime në jetë njerit i shkaktojne plagë në shpirt…plagë që me kohe sherohen por që lanë mbrapa vragë që nuk zhduken kurrë sa të jesh gjalle… E tillë ka mbetë edhe vraga e njasaj dite të nxime në nji stinë pranvere… edhe shtatëqind vjet me rrnue sa herë ndiej dikënd që flet gjuhen letrare mue gjaja e pare që më bjen në mendje asht ajo ditë…/KultPlus.com

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Buxheti për arsim i 2025-tës: 101 milionë euro më i lartë se katër vjet më parë

Buxheti për arsim për vitin 2025, sipas ministres Arbërie Nagavci do të jetë 417...

Shkolla “Mustafë Venhari” në Vushtrri shkëlqen nga pastërtia

Shkolla fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri po dëshmon se një mjedis i pastër është...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar/ Zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit: Autori nxori thikën në klasë

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan...