Nga Marsida Simo (Sociologe/Trajnere komunikimi)
Një zile e fortë dëgjohet e çjerrë deri tutje. Më pas, një grumbull fëmijësh vrapojnë si të jenë në garë me njëri tjetrin. Ata drejtohen nëpër dyqanet e fast food-it, byrektoreve dhe qofteve. Pas një pritje disa minuash në radhë, dalin duke shpaketuar ushqimin e gatshëm të sapo blerë dhe e hanë me uri.
Ora e pushimit të madh përkon diku pas orës 10. Në këtë moment fëmijët supozohen që të hanë vaktin e dytë. Faktikisht për pjesën më të madhe të fëmijëve, ky është vakti i parë, pasi mëngjesi është i vrullshëm dhe nuk i lë hapsirë që ata të ulën në tavolinë për të ngrënë normalisht. Dihet që pjesa e parë e ditës është e rëndësishme dhe duhet nisur me produkte ushqimore me vlera dhe të freskëta. Ndërsa realisht, sufllaqja, byreku apo tosti është i pari ushqim që prezantohet me stomakun.
Pavarësisht tentativave qeveritare për të hequr dyqanet brenda mureve të shkollës, shumë nxënës nuk e kanë të vështirë të dalin pak më tutje për të blerë atë që dëshirojnë. Bota e reklamave të cilat kanë vetëm qëllim fitimin, po e formon brezin e ri drejt zgjedhjeve të produkte plot ngjyra dhe tërheqëse, por aspak të shëndetshme.
Si rrjedhojë fëmijët kequshqehen, ku sipas përcaktimit të Organizatës Botërore të shëndetësisë “kequshqyerja” ndodh kur trupi nuk merr sasinë e nevojshme të energjisë (kalorive), proteinave, karbohidrateve, yndyrnave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm organizmin dhe për funksionimin e mirë të tij.
Sipas studieve nga ISHP (Instituti i Shëndetit Publik), nga kjo kequshqyerje në Shqipëri, lind mbipesha dhe obeziteti, të cilët janë një faktor risku i rëndësishëm për shëndetin, veçanërisht për sëmundjet jo të transmetueshme. Ky faktor risku vepron që në moshën e fëmijërisë. Ndër të tjera, analiza theksonte se fëmijë mbipeshë në qytet ishin 19.9% kundrejt 8.2% në fshat ku djemtë dominojnë më 18.1% obezë kundrjet vajzave 13.8%.
Atëhere lind pyetja, përse nxënësit e shkollave nuk marrin ushqim me vete?
Alesja është në klasën e 8-të në një shkollë 9-vjeçare. Ajo së bashku me një pjesë të mirë të shoqeve dhe shokëve të klasës, konsumojnë thuajse çdo ditë ushqim fast food-i.
“Deri në klasë të pestë edhe merrnin me vete, po pastaj shumica filloi të blinte. Ishte si turp. Mua mami më bënte një tost dhe ndonjë frut me vete. Nëse ajo nuk ma paketonte me letër varaku si në dyqan unë vështirë se mund ta merrja. E doja ashtu sepse në klasë kur e hapja nuk u kuptonte që e kisha marrë nga shtëpia, por gjoja e kisha blerë. Tani i bie shkurt, thjesht blej në dyqan”.
Jurida sivjet është në klasë të 10-të. Ajo studion në një nga gjimnazet më të mira në qendër të Tiranës. Kur pyetet për ushqimin që ajo konsumon në pushim të madh ajo sqaron shkurt se byreku ose tosti mbetet zgjidhja e vetme. Kur pyetja pasuese kërkon të identifikojë arsyen, ajo ngre supet dhe stepet me një buzëqeshje e vënë në faj:
– Është turp. Madje edhe po të marrim fruta është turp. Një shoqja ime kishte marrë një ditë një banane dhe klasa e talli. Ajo nuk e donte veten. Të nesërmen mami më sugjeroi të merrja një banane më vete dhe unë nuk do e bëja kurrë. As mollë as dardhë, asgjë!
Fëmijët e vegjël, qoftë edhe ata pak më të rritur, ushqehen çdo ditë më produkte ushqimore të pakontrolluara.
Përveçse rrezikojnë aq shumë shëndetin, duhet menduar se po ushqehen edhe me idenë se ushqimi i marrë nga shtëpia përbën turp. Dikur na mësonin se buka simbolizon punën dhe përkushtimin dhe kur binte apo nuk konsumohej, puthej dhe vendosej në një cep.
Buka nuk shkelej, as nuk flakej tutje, sepse fjala e urtë thoshte se “buka të zë sytë”.
Sot fëmijët kanë turp ta marrin bukën nga shtëpia, nuk e duan nga duart e prindërve.
Megjithatë paratë nga shtëpia i duan, që të blejnë peta të zhytura në vaj kancerogjen që në dyqan i quajnë byrek. /Albanian Education