Anila Luzha, kunata e deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, ia ka mësyrë një pozite në Ministrinë e Arsimit, që udhëhiqet nga bashkëpartiakja e tij Arbërie Nagavci.
Luzha është në mesin e 10 kandidatëve që MASHT-i i ka shpallur si më të suksesshmit në testimin me shkrim për pozitën ‘Inspektor i Arsimit’ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në Gjakovë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Njoftimi është dhënë me 26 qershor 2024, nga njësia e burimeve njerëzore e MASHTI-t. Kandidatët e përzgjedhur në këtë listë pritet që t’i nënshtrohen edhe procedurës së vlerësimit përmes intervistës.
Lidhur me këtë, Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar informacione nga MASHTI, të cilët kanë pohuar se procesi i rekrutimit po vazhdon ende dhe se deri në këtë fazë është përkrahur dhe menaxhuar nga sistemi elektronik i Departamentit të Menaxhimit për Zyrtarët Publikë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Inspektorati i Arsimit ka formuar Komisionin profesional rekrutues konform legjislacionit në fuqi. Deri më tani ka përfunduar testimi i kandidatëve dhe pritet të bëhet intervistimi i atyre që e kanë kaluar testin. Përderisa procesi i rekrutimit po vazhdon, ne nuk kemi asnjë raportim nga Komisioni për personat që kanë kaluar testin, pasi që ky proces deri në këtë fazë është përkrahur dhe menaxhuar nga sistemi elektronik i DMZP në kuadër të MPB-së”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Të njëjtit kanë refuzuar të përgjigjen për rezultatet e Luzhës në testimin me shkrim, duke u arsyetuar se procesi është konfidencial dhe askush nuk i di pikët që kanë marrë kandidatët në këtë fazë vlerësimi.
Kandidatja Anila Luzha është bashkëshortja e Andi Batushës, vëllait të deputetit të LVV-së nga Gjakova, Agon Batusha. Derisa, Ministria e MASHTI drejtohet nga Arbërie Nagavci nga e njëjta parti, që gjithashtu është edhe bashkëvendëse e Batushës dhe Luzhës.
Lidhjen familjare me Batushën e konfirmoi vetë Luzha të hënën në një bisedë telefonike me Gazetën Online Reporteri.net.
“Po. Është vëllai i burrit tim“, tha ajo, derisa refuzoi kategorikisht mundësinë që deputeti i pushtetit të ndikojë në përzgjedhjen e saj nga MASHTI.
Anila Luzha tregoi se aktualisht është mësimdhënëse e gjuhës angleze në një shkollë fillore në Gjakovë, derisa shton se është e informuar vetëm për publikimin e listës së kandidatëve për Inspektor të Arsimit të cilët kanë kaluar fazën e parë të thirrjes së MASHTI-t dhe është në pritje të njoftimit të radhës rreth procedurës.
Nga ana tjetër, Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të flasë edhe me deputetin Batusha, por i njëjti, të hënën, nuk ka qenë i qasshëm në thirrjet e mediumit.
Lufta kundër nepotizmit ishte një ndër premtimet më të zëshme të partisë në pushtet në fushatat elektorale të zgjedhjeve të mbajtura ndër vite në Kosovë.
Kohë pas kohe kujtohet deklarata e famshme e shefit të partisë, kryeministrit Albin Kurti, i cili thoshte se ‘familjarët e kushërinjtë janë për dasma, jo me i shti në punë’.
Por e gjithë kjo ka të ngjarë të jetë “harruar” nga zyrtarët e LVV-së, të cilët bazuar nga situata në terren, nuk kanë lëshuar asnjë rast të vetëm për të punësuar apo avancuar familjarët e të afërmit e tyre nëpër pozita në institucione shtetërore.
Banka Qendrore e Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Privatizim, Ministritë e ndryshme e shumë institucione tjera shtetërore janë mbushur me familjarë e aktivistë të LVV-së dhe Listës GUXO, subjekt politik i cili bashkëqeveris me vendin.
Teksa janë përballur me kritika të ashpra nga pjesëtarë të shoqërisë civile e partitë opozitare, nga Qeveria kanë pohuar se punësimet mbi baza partiake apo familjare ka qenë praktikë e Qeverive të kaluara, jo e kësaj të tashmes.