Më shumë se njëqind fëmijë nën moshën dhjetë vjeç në vende të ndryshme evropiane janë prekur nga një formë e hepatitit akut.
Pas alarmit të parë më 12 prill në Britaninë e Madhe, raste të tjera janë raportuar edhe në Danimarkë, Irlandë, Holandë dhe Spanjë. Aktualisht, shkaku i këtyre hepatiteve mbetet i panjohur.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar etiologjinë e këtyre rasteve për të marrë më tej vendime për shëndetin publik.
Çfarë dimë!
Rastet e identifikuara deri më tani shfaqin inflamacion të rëndë akut të mëlçisë, shpesh duke u shoqëruar me verdhëz dhe të vjella, si simptoma kryesore. Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar që po merren me 108 raste, pohojnë se shkaku mund të jetë infeksioni. Kjo ndodh sepse 77% e fëmijëve kanë rezultuar pozitivë për një formë adenovirusi, një familje virusesh të zakonshme që kryesisht shkaktojnë ftohje të thjeshta.
Raportime në Shtetet e Bashkuara
Disa ditë pas alarmit britanik, nëntë raste u regjistruan në Alabama në fëmijë nga një deri në gjashtë vjeç, të cilët më pas rezultuan pozitivë për adenovirus. Dy prej tyre iu nënshtruan transplantit të mëlçisë.
Për momentin hipotezat kryesore janë të përqendruara te adenovirusi, ose një variant i ri me një sindromë klinike të dallueshme ose një variant që qarkullon rregullisht që ka një ndikim më serioz tek fëmijët më të vegjël që janë imunologjikisht më të prekshëm.
Është e qartë se kjo është ende vetëm një hipotezë, duke qenë se po studiohen edhe shkaqe të tjera infektive. Në të njëjtën kohë, studiuesit kujtojnë se asnjë nga fëmijët e përfshirë nuk kishte marrë vaksinën Covid, e cila për rrjedhojë nuk mund të jetë përgjegjëse për hepatitin.