Policia shqiptare ka nisur verifikimet pas denoncimit në rrjetet sociale për çamçakëzin që përgjum fëmijët në shkolla.
Raportohet se mësuesja e një shkolle 9-vjeçare në Tiranë ka lajmëruar prindërit e nxënësve të një klase, pasi është identifikuar një substancë që ka formën e një çamçakëzi dhe që përdorej nga disa fëmijë.
Mësuesja ka konstatuar se nga përdorimi i këtij “çamçakëzi” fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje dhe është e dëmshme.
Mësuesja ka konstatuar se nga përdorimi i këtij “çamçakëzi” fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje dhe është e dëmshme.
Pas denoncimit në rrjete sociale, policia ka nisur menjëherë verifikimet. Ndërkohë edhe gazetari Mentor Kika ka ngritur shqetësimin në rrjetet sociale.
Postimi i gazetarit:
Kujdes! Ruani fëmijët nga një “substancë” e tillë.
Në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë është identifikuar një substancë në formë të tillë, që ka trajtën e një çamçakëzi, dhe që përdorej nga një/disa nxënës. Mësuesja që e ka identifikuar, është treguar vigjilente dhe ka lajmëruar prindërit e nxënësve të klasës që të bëjnë kujdes, pasi ajo ka vërejtur se nga përdorimi i saj fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje.
Po e bëj këtë publikim për të tërhequr vëmendjen e prindërve në kontrollin që duhet të tregojnë ndaj fëmijëve. Nuk kam informacion nëse kjo është një substancë narkotike apo jo, por padyshim që duhet të jetë e dëmshme në raport me gjendjen që prodhon.
Gjithashtu, duhet doemos një bashkëpunim me policinë për të zbuluar se çfarë është dhe nga vjen. Shkollat kanë qenë dhe janë të synuara nga shpërndarësit e substancave narkotike, pasi rrjetet e trafikantëve kërkojnë klientelë të re konsumatorësh. Ndërkohë që lista e produkteve narkotike shtohet rregullisht me substanca të reja sintetike.
Kundër këtyre problemeve sociale e kriminale, duhet një bashkëpunim mes shkollës, familjes dhe policisë. Jeni të lutur ta shpërndani këtë postim, për më shumë informim.