Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur se 4.106 mësues janë kualifikuar gjatë këtij viti, duke e cilësuar procesin si një hap të rëndësishëm për rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas ministres, kualifikimi i mësuesve nuk është vetëm një proces vlerësimi, por një dëshmi e përkushtimit ndaj profesionit dhe e angazhimit për zhvillim të vazhdueshëm, me synim ofrimin e një mësimdhënieje sa më cilësore për nxënësit.
Nga mësuesit e kualifikuar këtë vit, 1.354 kanë fituar kategorinë “Mësues Mjeshtër”, 1.052 janë kualifikuar në kategorinë “Mësues Specialist”, ndërsa 1.700 kanë fituar kategorinë “Mësues i Kualifikuar”.
Ministrja Kumbaro theksoi se këto rezultate pasqyrojnë punën, përvojën dhe përkushtimin e mësuesve shqiptarë, të cilët investojnë vazhdimisht në zhvillimin e tyre profesional, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar.
Në përfundim, ajo uroi të gjithë mësuesit që morën pjesë në procesin e kualifikimit dhe vlerësoi bashkëpunimin me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar për mbarëvajtjen e këtij procesi.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara