Sindikata e Bashkuar e Arsimit thotë se përkrah vendimin e MAShTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Megjithatë SBASHK thotë se shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.
SBASHK kërkon urgjentisht inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat; sidomos në komunat ku reshjet kanë qenë më të mëdha, shkruan AlbanianEducation.net.
“Paralajmërim sindikal: SBASHK nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi”, thuhet ndër të tjera në reagimin e SBASHK-ut.
Reagimi i plotë i SBASHK-ut:
REAGIM I SBASHK-ut
Reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë krijuar rrezik serioz për sigurinë në shumë shkolla dhe për familjet e punëtorëve të arsimit. Kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
SBASHK përkrah vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e MAShTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.
Megjithatë, shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.
SBASHK KËRKON URGJENTISHT:
Inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat;
Vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore;
Sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit;
Transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Në veçanti kërkojmë inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, si:
Drenasi, Malisheva, Suhareka, Fushë Kosova, Klina, Gjakova,Dragash dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze.
PARALAJMËRIM SINDIKAL:
SBASHK nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi.
Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.
Siguria nuk negociohet.
SBASHK – në mbrojtje të punëtorëve të arsimit.