Kthimi i trurit: Senati miraton komision ndërkombëtar për një aplikant nga diaspora në Departamentin e Mekatronikës

- Advertisement -

Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për kthimin e trurit, në mbledhjen e 19-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës është hapur rruga e vlerësimit të një aplikanti nga jashtë në Departamentin e Mekatronikës të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

- paragrafi 1 -

Senati miratoi njëzëri komisionin ndërkombëtar dhe atë të ankesave për vlerësimin e aplikimit të këtij kandidati, në bazë të neneve 3 dhe 6 të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik.

- Advertisement -

Sipas kësaj rregulloreje, personat që konkurrojnë për të qenë pjesë e UP-së duhet të kenë kryer një nivel shkollimi në 400 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së publikuar nga “Times Higher Education“ ose “QS World University Rankings”, dhe të plotësojnë kriteret e emërimit dhe avancimit në UP, në bazë të statutit dhe rregulloreve të këtij universiteti.

Anëtarët e Senatit njëzëri u pajtuan edhe për dy pozita të reja pune në programin e Ballkanistikës brenda Fakultetit të Filologjisë, me qëllimin që kjo degë të riakreditohet. Për këto dy pozita do të shpallet konkurs ditëve në vijim.

Senatorët gjithashtu plotësuan e ndryshuan tri rregullore tjera:

- Advertisement -

Rregulloren për Zyrën e Ombudspersonit,

Rregulloren për procesin dhe procedurën e vendimmarrjes në përzgjedhjen e fituesve të titujve të nderit, çmimeve për studentët e dalluar dhe mirënjohjeve,

Rregulloren për procedurat vlerësuese për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm.
Në mbledhje u diskutua për provimet diferenciale, u ratifikuan dy punime të doktoratës dhe

u lejuan për t’u punuar dy tema tjera të këtij niveli të studimeve, të ardhura nga Këshilli Qendror për Studime të Doktoratës. Po ashtu, u emërua edhe komisioni për hartimin e

Rregullores për Universitetin Veror të Prishtinës.

Anëtarët e Senatit miratuan shpalljen e thirrjes për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm në UP për vendet ende të paplotësuara dhe u informuan për dorëheqjen e njërit nga anëtarët e Këshillit të Etikës.