Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se së bashku me drejtorin e Arsimit, Avni Morina, ka mbajtur takim me drejtorët e shkollave dhe me kryetarët e këshillave drejtuese të shkollave, shkruan Albanian Education.
Latifi thotë se ka kërkuar nga drejtorët e shkollave dhe nga organet drejtuese të tyre, që të jenë në nivelin e duhur të detyrës dhe të rrisin nivelin e përkushtimit për proces të rregullt mësimor dhe funksionim të duhur të organeve drejtuese në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.
Postimi i plotë i tij:
Sot, së bashku me drejtorin e DKA-së mbajtëm takimin e radhës me drejtorët e shkollave dhe me kryetarët e këshillave drejtuese të shkollave të komunës sonë. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe komandanti i stacionit policor në Rahovec dhe kryetarja e këshillit komunal të prindërve.
Çështjet si mbarëvajtja e procesit edukativo-arsimor, aspektet e sigurisë në shkolla, funksionimi i mirë i organeve drejtuese të shkollave dhe koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta, ishin tema për të cilat diskutuam sot.
Kërkova nga drejtorët e shkollave dhe nga organet drejtuese të tyre, që të jenë në nivelin e duhur të detyrës dhe të rrisin nivelin e përkushtimit për proces të rregullt mësimor dhe funksionim të duhur të organeve drejtuese në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.
Gjithashtu, së bashku me drejtorin e DKA-së prezantuam ecurinë e projekteteve në vazhdim dhe atyre të planifikuara gjatë këtij viti në fushën e arsimit.
Mbesim të përkushtuar që të rrisim edhe më tej bashkëpunimin e ndërsjelltë, në mënyrë që të jemi në koordinim të plotë me plotësimin e kërkesave dhe nevojave që ka arsimi në komunën tonë për t’u rritur cilësia e tij.