Ministria e Arsimit edhe këtë vit do të vazhdojë me skemën e subvencionimit për blerjen e teksteve shkollore, duke mbështetur financiarisht prindërit e nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën.
Aplikimi për përfitimin e kësaj mbështetjeje pritet të hapet në fillim të muajit gusht.
Megjithatë, njohës të fushës së arsimit po e shohin me probleme këtë proces, duke theksuar se gjatë dy viteve të fundit janë evidentuar një sërë problemesh, përfshirë vështirësitë në furnizim me libra dhe rastet e keqpërdorimit të subvencioneve.
Ish-zv.ministri i Arsimit: Subvencionet për libra po keqpërdoren, MASHT-i duhet të bëjë verifikime
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka folur lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit që edhe këtë vit të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit nga klasa e 1-rë deri në të 9-ën.
Pupovci deklaroi se nga ky manual ka keqpërdorime nga prindërit, por shpreson që MASHT-i ka marr masat e duhura.
“Shpresoj qe MASHT-i këtë vit i ka bërë përmirësimet e duhura se problemet që po i kanë prindërit me gjetjen e librave të caktuar e kemi edhe këtë situatën të keqpërdorimeve të atyre që jetojnë jashtë vendit dhe atyre që i marrin subvencionet dhe nuk i shpenzojnë ato për libra, duhet të plotësohet verifikimi se kush po i merr mjetet e subvencionit”, potencoi ai.
Ai shtoi se një zgjidhje më efikase do të ishte furnizimi i drejtpërdrejtë i librave përmes shkollave, çka do të lehtësonte procesin për sistemin arsimor.
“Furnizimi i librave përmes shkollave do të ishte shumë më i lehtë për sistemin e arsimit por nuk përfshinë në vete edhe subvencionimin e mjeteve e teksteve këto edhe janë për libra por edhe ka fonde për blerjen e mjeteve të tjera mësimore. Kjo ide do ishte më e lehtë për librat”, u shpreh ai.
Pupovci shprehet se duhet të verifikohen ata që i marrin subvencionet.
“Parandalohet me procesin e verifikimit që ata që nuk kanë fëmijë të regjistruar në këto shkolla që punojnë me programin e Kosovës dhe me monitorim me hulumtim që ata që i kanë marr subvencionet me verifikuar se a i kanë ble librat”, deklaroi ai.
Xhavit Rexhaj, ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, poashtu është deklaruar lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e prindërve në blerjen e librave shkollorë.
Sipas Rexhajt, kjo skemë ka si anë pozitive mundësinë e zgjedhjes së alternativave nga mësimdhënësit dhe përfshirjen e mjeteve për çanta e fletore, por ka edhe mangësi të theksuara.
“Kjo i ka edhe anët pozitive dhe negative ato pozitive janë se librat bëhen me alternativa që mësimdhënësi vendos se cilat libra do të zgjidhen dhe u jepen mjete për çanta e fletore më e drejtë do të ishte tu jepet atyre që kanë nevojë dhe jo të gjithëve në mënyrë të barabartë dhe kjo nuk është mënyra më e mirë e të shpenzuarit të parasë publike”, potencoi Rexhaj
Sipas tij, rritja e çmimeve dhe praktika e ndarjes së librave në mënyrë të paqëndrueshme nga viti në vit, sidomos për klasat 6 deri në 9 janë shqetësuese.
“Ka edhe disa probleme që i ka defaktorizu shtëpitë botuese dhe të njëjtën kohë i ka shtuar librarit dhe prindërit për furnizimin me librat më herët ka qenë në klasa me nxënësit. Ka ngritje të çmimit të librave nuk është në rregull që librat e klasës 6-9 një vit epet tjetrin vit jo”, ka deklaruar Rexhaj. /FrontOnline