Në mesin e 35 liderevë të rinj nga Evropa që do të marrin pjesë në programin e vitit 2022 nga “Obama Foundation” do të jetë edhe Egzon Gashi – themeluesi i “Teach for Kosova”, organizatës, e cila është pjesë e rrjetit global “Tech For All”.
Në një intervistë për Albanian Post, Gashi, ka treguar se gjithçka kishte nisur kur stafi i “Tech For All” në Evropë, e kishte nominuar për Fellowship gjashtë mujor, në Fondacionin Obama.
Pas nominimit, vetë Gashi, i ishte nënshtruar procesit të aplikimit që përfshinte përshkrimin e detajuar të punës së tij në “Teach For Kosova” si dhe intervistë me disa prej përfaqësuesëve të “Obama Foundation”.
Ishte vetë ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ai që e kishte ndarë lajmin për kandidatët e përzgjedhur si liderë të programit për vitin 2022 – kësisoj duke publikuar një postim përgëzues në llogarinë e tij të Twitter-it.
“Urime grupit tonë më të ri në ‘ObamaFoundation’. Liderët e Evropës! Këta të rinj të zgjuar dhe novatorë po trajtojnë çështjet më urgjente në komunitetet e tyre dhe mezi pres të shoh se çfarë mund të bëjnë së bashku”, kishte shkruar Obama.
Por, ani pse lajmi u bë publik më 18 janar, Gashi, pohon të jetë informuar kohë më parë.
“Stafi i fondacionit më kontaktoi në fillim të dhjetorit me lajmin, por na thanë që të mos e bëjmë publike deri më 18 janar. Atë ditë, Fellows i bënë njoftimet e tyre, bashkë me ‘Obama Foundation’ dhe presidentin, Barack Obama”, thotë Gashi.
Pandemia me COVID-19 dhe rastet në rritje me të infektuar nga Coronavirusi, kanë bërë që ky organizim të mbahet, përmes programit, “Zoom”, ndërsa Gashi bashkë me 34 liderët e tjerë evropianë do të mbajnë takime virtuale me “Obama Foundation”, plot dy herë në javë.
“Fellowship përbëhet nga 6 muaj seanca të zhvillimit të lidershipit, takime me lider në të gjithë Evropën, dhe takime sy më sy. Gjithashtu ka detyra që Fellows të kryejnë çdo muaj”, thotë Gashi, teksa flet për angazhimet si i përzgjedhur i këtij organizimi.
Gjithsesi, pas përfundimit të programit, Gashi bashkë me të tjerët, do të kenë rastin të bëhen pjesë e një konference, në krye të së cilës qëndrojnë, dy emra me shumë influencë, jo vetëm në SHBA, por edhe në të gjithë globin – Barack dhe Michelle Obama.
“Për shkak se programi është online, mund të qëndroj në Kosovë duke vazhduar punën në ‘Teach For Kosova’. Në fund të programit, ka një konferencë me të gjithë liderët, presidentin, Barack Obama dhe Michelle Obama”, tregon Gashi.
Pjesëmarrja në këtë organizim të “Obama Foundation” ka një rëndësi të veçantë tek Egzoni, ndërsa thotë se e njëjta mund të ndikojë në thyerjen e barrierave kur në pyetje është Kosova.
“Për mua, pjesëmarrja në këtë Fellowship është një mundësi për të ndarë punën e ‘Teach For Kosova’ me liderë të tjerë në gjithë Evropën. Mendoj që në shumë mënyra, Kosova ende po lufton për njohje edhe në Evropë – dhe pjesëmarrja e Kosovës në programe të tilla mund të ndihmojë në thyerjen e disa barrierave”, thotë ai.
Për fund, Egzon Gashi, është shprehur optimist për të ardhmen e tij dhe të organizatës që ai drejton – “Teach For Kosova”, teksa ka thënë se shpreson që të lidhë partneritete të reja në gjithë botën.
Po ashtu, ai shpreson që pas kësaj pjesëmarrjeje, edhe ndihma dhe mbështetja nga Qeveria e komunat e Kosovës, të jetë më e madhe. /AlbanianPost/