Ilir Murturi, është një i ri nga Kosova që ka Ilir Murturi, është një i ri nga Kosova që ka studiuar në Vjenë të Austrisë duke doktoruar në Universitetin Teknik të Vjenës, Fakulteti Informatikës, njërin prej më të mirëve në botë.
Së fundi ai ka aplikuar për pozitën e Profesor Asistentit në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Universiteti i Prishtinës (UP). JO – ka qenë pëgjigja që ka marrë nga komisioni recensues duke e nxitur Murturin të shkruaj një letër të gjatë në rrjetin e tij social Facebook e ku e shpreh dëshpërimin e tij.
“Ndjej obligim moral të ndaj këtë lajm me kolegët dhe studentët që kanë studiuar dhe studiojnë jashtë dhe mendojnë të kthehen në Kosovë. Për mua gjithmonë ka qenë dhe mbetet mision në jetë të kthehem në Kosovë dhe të kontribuoj duke ushtruar profesionin tim të hulumtuesit shkencor që tani e 8 vite e mbajë” ka shkruar ai.
Më tej ai, tregon së përtej sfidave, i ka besuar besuar iniciativës/misionit të Universitetit të Prishtinës për kthimin e trurit nga jashtë – që inkurajon emrimin e aplikantëve që kanë fituar doktoratën e tyre në njërin nga 500 universitetet më të mira në botë./Gazeta10
Lexojeni letrën e plotë të tij:
Me keqardhje kam pranuar lajmin se komisioni recensues paska refuzuar aplikimin tim në pozitën Profesor Asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Universiteti i Prishtinës (UP). Ndjej obligim moral të ndaj këtë lajm me kolegët dhe studentët që kanë studiuar dhe studiojnë jashtë dhe mendojnë të kthehen në Kosovë.
Për mua gjithmonë ka qenë dhe mbetet mision në jetë të kthehem në Kosovë dhe të kontribuoj duke ushtruar profesionin tim të hulumtuesit shkencor që tani e 8 vite e mbajë.
Natyrisht, për kolegët në Vjenë asnjëherë kjo nuk është mirëpritur sepse për ta është e pakuptimt kalimi nga një universitet e cila rangohet në mesin e universiteteve më prestigjioze në botë në një institucion që nuk gëzon reputacion të mirë në komunitetin shkencor ndërkombëtar. Sepse për ta kjo është thjeshtë sakrifikim i karrierës akademike që kam ndërtuar përgjatë 6 viteve të fundit në Universitetin Teknik të Vjenës. Dhe të mos flasim as për anën financiare dhe kushtet që ofrohen në Universitetin Teknik të Vjenës në dallim me UP. Pavarësisht nga të gjitha disavantazhet, unë i kam besuar iniciativës/misionit të Universitetit të Prishtinës për kthimin e trurit nga jashtë – që inkurajon emrimin e aplikantëve që kanë fituar doktoratën e tyre në njërin nga 500 universitetet më të mira në botë. Prandaj edhe kam aplikuar në këtë pozitë. Por realiteti në terren, fatkeqësisht, është krejtë ndryshe!
Unë kam të përfunduar doktoratën në Universitetin Teknik të Vjenës, Fakulteti Informatikës. Universiteti Teknik i Vjenës rangohet në vendin e 184 në botë, përderisa për drejtimin e Informatikës rangohet në vendin e 1 në Austri dhe në vendin e 73 në botë. Tema ime e doktoratës është mentoruar nga njëri ndër shkencëtarët më të cituar në fushën e shkencave kompjuterike, njëherit është Anëtar i Akademisë Europiane dhe Kryetar i Seksionit të Informatikës. Përgjatë këtyre viteve kam punuar si mësimdhënës në Universitetin Teknik të Vjenës, kam publikuar në konferenca, revista shkencore më me renome në fushën e shkencave kompjuterike që askush nga stafi i FIEK-ut nuk i posedon.
Përkundër moshës së re, posedoj më shumë publikime shkencore sesa profesorët e rregullt dhe të asocuar të FIEK-ut. Dhe përkundër një portofoli të shkëlqyeshëm të punimeve shkencore, komisioni recensues propozon kandidatin tjetër me doktoratë nga një universitet i rajonit i cili nuk rangohet nga asnjë institucion ndërkombëtar si dhe me një numër konsiderueshëm më pak të punimeve. Ndërsa, pjesa më e tmerrshme e këtij vendimi është që komisioni recensues për kanditatin e përzgjedhur ka pranuar si kontribute “shkencore” punimet e botuara në “RICOH” (fotokopje/botues në Prishtinë), skripta me detyra, si dhe përkthime – pa bërë asnjë analizë në lidhje me cilësinë, impaktin e tyre në fushën e studimit përkatës apo përdorimin e tyre nga ndonjë institucion arsimor vendor apo ndërkombëtar! Pranimi i publikimeve të tilla është një shkelje e rëndë e të gjitha normave dhe etikës akademike. Thjeshtë, PA KOMENT!
Pa e zgjatur këtë temë më shumë, ky vendim i tyre aspak nuk do të ndikon në karrierën time akademike. Unë do të vazhdoj punën në Universitetin Teknik të Vjenës dhe sigurisht se më të lumturit për këtë do të jenë kolegët e mi nga Vjena. Ndërsa ndaj këtij vendimi skandaloz do të ankohem dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore deri në fund. Arsyeja e ankesës time do të jetë vetëm dhe vetëm për ta bllokuar këtë proces dhe për ta ndalur edhe më tutje shkatërrimin e vazhdueshëm që po i bëhet Universitetit të Prishtinës. Le të mbetet në ndërgjegjen e anëtarëve të Senatit të Universitetit, Rektoratit, Ministrisë së Arsimit Teknologjisë dhe Shkencës, si dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të adresuar këtë çështje me integritet dhe drejtësi.