Mbi 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen më 22 qershor testit të vlefshëm për ta siguruar të drejtën e aplikimit për studime universitare.
Për të penguar kopjimin në Testin e Maturës Shtetërore, maturantët do të shpërndahen nëpër objekte të shkollave të ndryshme. Por në Këshillin e Nxënësve të Kosovës nuk besojnë se kopjimi mund të ndalet me këtë veprim
Për të penguar kopjimin në Testin e Maturës Shtetërore, maturantët do të shpërndahen nëpër objekte të shkollave të ndryshme, për vlerësimin që do të mbahet më 22 qershor.
Sipas udhëheqësit të Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, nxënësit e klasës së njëjtë nuk do të jenë as në sallën e njëjtë gjatë testimit.
“Nuk do të jenë në shkolla gjithë nxënësit në të njëjtën qendër, do të bëhet përzierja e nxënësve duke u dërguar në qendra të ndryshme por edhe në salla të testimit. Shpresojmë se mundësia e kopjimit do të jetë më e vogël”, ka thënë Elezi.
Ministria e Arsimit shpenzon rreth 350 mijë euro çdo vit për organizimin e Maturës Shtetërore, që ndër vite është përcjellë me parregullsi. Pyetjet dhe përgjigjet e testit shpesh janë publikuar në rrjete sociale nga nxënësit që i janë nënshtruar atij.
Në Këshillin e Nxënësve të Kosovës nuk besojnë se kopjimi mund të ndalet me shpërndarjen e nxënësve.
Orgesta Kelmendi, kryetare e Këshillit të Nxënësve në komunën e Pejës, ka thënë se institucionet arsimore duhet të punojnë në vetëdijesimin e nxënësve për të treguar ndershmëri në procese testuese.
“Është një kompetencë e cila duhet lënë sistemit të arsimit që ta zhvillojë përgjatë shkollimit të përgjithshëm dhe jo vetëm gjatë testit të maturës, për arsye se një nxënës i cili gjatë shkollimit është person që nuk ka vetëdije qytetare nuk mund të presim që ai ta shpreh një nivel të lartë të vetëdijes gjatë testit”, ka thënë ajo.
Më 13 qershor është përmbyllur aplikimi për t’iu nënshtruar provimit që sivjet është bërë nga vetë nxënësit në mënyrë elektronike përmes platformës “E-Kosova”.
Në këtë platformë do të mundësohet edhe gjenerimi i të dhënave për orientimin dhe sistemin e maturantëve në qendrat e testimit, shpalljen e rezultateve dhe përgatitjen e certifikatave të maturës.
Nga 21 mijë maturantë, kanë aplikuar 18 mijë për t’iu nënshtruar provimit të vlefshëm për ta siguruar të drejtën e vazhdimit me studime universitare. Maturantët që nuk kanë aplikuar janë kryesisht të shkollave profesionale, ka thënë në Divizionin për Vlerësim.
E kjo, sipas menaxhmentit të shkollave profesionale, është për shkak se disa nxënës nuk kanë interesim t’i vazhdojnë studimet akademike.
Në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, 26 maturantë nuk kanë aplikuar për t’iu nënshtruar testimit.
“Arsyeja kryesore është gati ajo që e ka një vend të punës dhe nuk ka ambicie për të vazhduar në studimet akademike, prandaj nuk e sheh të arsyeshme me paraqit një provim të tillë”, ka thënë Blerim Gërvalla, drejtor në “Shtjefën Gjeçovi”.
Në Provimin e Maturës, nxënësit do t’i nënshtrohen vlerësimit mbi njohuritë e tyre për lëndën gjuhës shqipe, matematikës, gjuhë angleze dhe një lëndë zgjedhore.
Nxënësit që nuk arrijnë ta përfundojnë me sukses provimin në qershor, do të kenë edhe një afat më 31 gusht. Pa e kaluar këtë test, ata nuk do të mund të aplikojnë në universitete publike e kolegje private për pranim. / KOHA.net