Ministria e Arsimit njoftoi të hënën se janë angazhuar për mbarëvajtje e Testit të Arritshmërisë rreth 1600 administrues.
MASHT tha se sa i përket pjesës së parë të testimit, e cila është mbajtur më 4 qershor 2022, ka nxjerrë një raport në të cilin janë evidentuar problemet që e kanë përcjellë procesin e mbajtjes së testimit, e të cilat janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit.
MASHT tha se ka marrë masa të eleminohen problemet e paraqitura në testin e parë që ato të mos ndodhin në të dytin.
“Lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, MASHTI ka marrë të gjitha informatat nga terreni dhe ka marrë masat adekuate në mënyrë që në pjesën e dytë të testimit të eliminohen të gjitha papërgjegjësitë që janë evidentuar në pjesën e parë. MASHTI njofton se, bazuar në legjislacionin në fuqi, janë ndërmarrë masa ndaj gjashtë administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin nuk do t’u lejohet të përsërisin pjesën e parë të testimit, pra atyre do t’u llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të Testit”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, MASHTI kërkon nga drejtoritë komunale të Arsimit që të marrin të gjitha masat e nevojshme, të cilat do të sigurojnë që pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë të organizohet sipas standardeve dhe rregullave të përcaktuara.
“Në mënyrë që pjesa së dytë e testimit të shkojë mirë, MASHTI ka krijuar një Grup Punues i cili do të bëjë monitorimin e procesit, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë nga krimet kibernetike, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe DKA-ve”.
Por sërish testi u nda në rrjetet sociale dhe MASHT nuk arriti të sigurojë një testim të mirëfilltë.
Mjaftuan 30 mintua pas nisjen së testimit të semi-maturantëve që pyetjet dhe përgjigjet e sakta të publikohen në grupe të ndryshme në Facebook, derisa janë krijuar edhe grupe të tjera private në Viber.
MASht dhe ministrja Arbërie Nagavci ende nuk kanë dalë një deklaratë rreth testimit të dytë. Mbetet të shihet se ç’do të thonë, kur të flasin për këtë gjë. (Albanian Kids Education)