Pas disa kërkesave, më në fund sot ndodhi takimi “kokë më kokë”, mes ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, takim që ndodhi një ditë para mbajtjes së protestës që do të mbahet të mërkurën, shkruan AlbanianEducation.net.
SBASHK ka njoftuar se sot Rrahman Jasharaj, Vjollca Shala dhe Ymer Ymeri janë takuar me ministren Arbërie Nagavci dhe zv/ministrin Taulant Kelmendi.
“Pas konferencës me mediet që ka mbajtur sot SBASHK , Ministrja Nagavci bashkë me zv.ministrin Taulant Kelmendi janë takuar në MASHTI me kryetarin Rrahman Jasharaj, nënkryetaren Vjollca Shala, sekretarin e përgjithshëm Ymer Ymeri dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri.”
Sipas SBASHK’ut takimi ka qenë i shkurtë dhe ka përfunduar pa asnjë rezultat pasi “ministrja Nagavci nuk pati gatishmëri të bisedoj konkretisht për kërkesat legjitime të anëtarësisë që SBASHK i ka bërë publike tani e sa kohë”.
SBASHK nesër do të mbajë protestë.
“SBASHK shpreh keqardhje për këtë qëndrim të Ministres Nagavci dhe prandaj nesër do të mbahet protesta e 4 paralajmëruar dhe Këshilli Drejtues do të vendosë edhe për veprimet tjera sindikale. SBASHK uron që nesër në kuadër të protestës përfaqësues të MASHTI-t të takohen me udhëheqës të protestës në përpjeke për të arritur marrëveshje të pranueshme për të dy palët.”
1. Duam nënshkrimin e Kontratës Kolektive,
2. Ministre reflekto, fillo dialogun,
3.Duam ngritje dinjitoze të pagave ,
4. SBASHK-u është zëri ynë-dëgjojeni !
5.Ministre a fole ndonjëherë në Qeveri për kërkesat tona ?
6.Kur mungon dialogu, mungon demokracia ,
7.Mos na mohoni kontributin e viteve të 90-ta ,
8.Nuk lejojmë të bëhen ndryshime të ligjeve në dëm të punëtorëve të arsimit,
9.Pensionistët ju arsimuan e ju po i ndëshkoni.
10.Duam përmirësimin e kushteve të punës në institucione arsimore,
11. E shenjtë është puna e mësuesit në edukimin e brezave ,
E të tjera në këtë frymë.
Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar për takimin e të martës me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Ministria ka thënë se mbetet gjithmonë e hapur për të diskutuar dhe bashkëpunuar me SBASHK-un në përputhje me zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovës dhe të trajtohen bashkërisht çdo nismë ligjore brenda infrastrukturës ligjore të Kosovës.
“Dokumentet dhe iniciativat për ndryshime legjislative duhet të trajtohen brenda kornizës ligjore, pasi çdo qasje e njëanshme mund të shkaktojë përçarje në kolektivat e mësimdhënësve nëpër shkolla, të pengojë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të mos kontribuojë në objektivin e përbashkët për rritjen e cilësisë në arsim. Siç dihet, gjatë qeverisjeve të kaluara, në periudha zgjedhore, janë nënshkruar marrëveshje të shumta me sindikatën, të cilat kanë prodhuar pasoja juridike me të cilat institucionet tona vazhdojnë të përballen. Prandaj, një gabim i tillë nuk do të përsëritet. Çështja e pagave për mësimdhënësit është rregulluar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik (08/L-196) dhe përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit. Rrjedhimisht, rritja e koeficientit përfshin edhe mësimdhënësit. Sa i përket kontratës kolektive, diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar. Ky diskutim mund të zhvillohet nga BSPK dhe Këshilli Ekonomik Social në nivel qeveritar, sapo të krijohen kushtet e përcaktuara me ligj. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet gjithmonë e hapur për të diskutuar dhe bashkëpunuar me SBASHK-un në përputhje me zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, si dhe për trajtimin e përbashkët të çdo nisme ligjore brenda infrastrukturës ligjore të Republikës së Kosovës”, thuhet nga MASHT-i.
SBASHK ka njoftuar se takimi mes përfaqësuesve të sindikatës dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, s’ka prodhuar rezultat. Të mërkurën do të mbahet protestë e SBASHK-ut para Ministrisë së Arsimit e më pas para Qeverisë. /AlbanianEducation.net/.