- Advertisement5 -
Universiteti i Prishtinës po ofron 51 pozita për mësimdhënës dhe 58 për asistentë në 12 fakultete, në konkursin për emërimin e personelit akademik të rishpallur sot.
Konkursi është hapur për Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Filologjisë, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetin e Arteve, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Arkitekturës dhe Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore.
Ashtu siç parashihet në konkurs, kandidatët që aplikojnë për këto pozita duhet të plotësojnë kërkesën për aplikim, të kenë të përgatitur CV-në e plotë me të gjitha arritjet akademike, diplomat e të gjitha niveleve të studimit, dëshmitë për publikimet shkencore e profesionale dhe dëshmitë për përvojën mësimdhënëse në institucionet e arsimit të lartë. Ata gjithashtu këtyre dokumenteve duhet t’ua bashkojnë edhe dëshminë nga gjykata themelore që nuk janë të dënuar dhe certifikatën e lindjes.
Aplikimi duhet të bëhet online në vegëzën zyrtare: https://stafiakademik.uni-pr.edu/ dhe fizikisht në njësitë akademike në të cilat konkurrohet për pozitat e hapura, nga 12 deri më 26 janar 2026, në orën 16:00.
Ky konkurs rishpallet pas harmonizimit të dy konkurseve të hapura më 15 dhe 22 dhjetor me dispozitat e zbatueshme të Statutit të UP-së, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, të publikuar më 10 dhjetor 2025. Kandidatët që kanë konkurruar në dy konkurset paraprake (4/522 dhe 4/590 të hapura më 15 dhe 22 dhjetor 2025) mund të tërheqin dokumentet e dorëzuara në njësitë akademike dhe të riaplikojnë në konkursin e ri.