Komuna e Shtimes ka njoftuar se është anuluar ekskursioni për maturantët në Shqipëri, i cili ishte planifikuar të realizohej gjatë këtyre ditëve. Sipas, Drejtorisë komunale të arsimit në Shtime, arsyeja e anulimit ka të bëjë me kompaninë e cila nuk i është përmbajtur ofertës dhe kontratës së fituar.
“Me keqardhje njoftojmë maturantët dhe mësimdhënësit e dy shkollave të mesme për anulimin e ekskursionit të paraparë të mbahej në Shqipëri. Drejtoria Komunale e Arsimit në Shtime njofton se pas procesit të përzgjedhjes, kompania fituese nuk i është përmbajtur realizimit të ofertës me të cilën ka aplikuar bazuar në çmimin e paraqitur”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Sipas Komunës, Drejtoria e Arsimit mbetet e përkushtuar që procesi i përzgjedhjes të jetë në tërësi i bazuar në kërkesat që i përgjigjen formularit sipas UA 02/2016.
“Nuk do të ketë asnjë tolerim për kompanitë që pas përzgjedhjes të mos u përmbahen kushteve me të cilat kanë aplikuar dhe pa ofruar sigurinë që ekskursioni të realizohet vetëm sipas kushteve të propozuara në ofertë. Pas kësaj situate, Drejtoria e Arsimit do t’i marrë veprimet adekuate në mënyrë që të mos përsëritet situata e njëjtë dhe kjo të shërbejë si model për të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë në të ardhmen. Ju kërkojmë falje gjithë nxënësve e mësimdhënësve dhe kërkojmë mirëkuptimin e tyre, pasi nuk mund të lejojmë që nxënësit të bartin papërgjegjësinë e ofertuesve”, thuhet në fund të njoftimit.