Intervenimet për prishjet e ndryshme do të bëhen më shpejtë e lehtë. Nga shtatori, institucionet arsimore të Prishtinës për çdo telash do të mund ta thërrasin mjeshtrin e shkollës.
Për projektin e Drejtorisë së Arsimit dhe Ndërmarrjes Publike Banesore, janë ndarë dy ekipe mobile, me punëtorë të profileve të ndryshme nga kjo e fundit.
”Përfshihet riparimi i dyshemeve, dyerve, dritareve, tavaneve e gjithçka që përfshinë brenda institucioneve arsimore. Jemi në gatishmëri 24 orë në 7 ditë të javës”, deklaroi Arbnor Neziri, nga kabineti kryeshefit në NPB-së.
Do të hapet edhe një linjë telefonike ku mund të kontaktohet ekipi i mjeshtrit.
”Në të kaluarën komuna është dashtë me lidhë kontrata të veçanta për secilën prishje që ka ndodhë dhe kjo ka shkaktu vonesa të mëdha. Kjo ka me përshpejtu reagimin dhe nuk ka me leju që infrastruktura të degradohet përshkak të vonesave”, deklaroi Besianë Musmurati, drejtore e Arsimit në kryeqytet.
Ky lloj intervenimi po konsiderohet fort i nevojshëm edhe nga shkollat.
”Shkolla e ka pas në dispozicion shtëpiakun, mirëpo ai nuk ka pasur mundësi me i renovu të gjitha dëmet që janë paraqitë, sepse kanë qenë edhe procedurat e tenderimit”, tha Melihate Bajrami,
Zëvendësdrejtore në ShMEJ ”Hoxhë Kadri Prishtina”.
Projekti është njëvjeçar dhe kushton rreth 130,000 euro, derisa në bazë të nevojës planifikohet të shtohet buxhet në të ardhmen.
/KlanKosova