Koha është një qëllim. Ose më saktë shumë qëllime që i vendosim vetes, nuk është një dëshirë. Atë s’mund ta kesh kur të duash. Nuk është as nevojë, është synim për t’u arritur. Kjo e bën atë të ecë, pa ndaluar, vetëm e vëtëm që ne të rendim pas saj.
Njerëzit e kuptojnë vlerën e kohës, atëherë kur u ka mbetur pak prej saj.
“Koha nuk matet me orë e me minuta, por me momente.” A nuk është e vërtetë? Po, do të themi të gjithë, por a mendojmë vërtetë kështu? Sa herë pyesim për orën, vetvetiu llogarisim kohën që na ka mbetur për të përfunduar diçka apo për të shkuar diku. Pra jemi vetë ne që e bëjmë këtë lidhje duke harruar se ç’është koha.
Fjala kohë është çdo moment e periudhë e caktuar, çdo aventurë, çdo emocion, çdo fjalë e njeri. Fjala kohë do të thotë përkushtim, përkujdesje. Ajo është e çmuar, ka vlera të cilat ne i marrim për të mirëqena, sepse mendojmë se kemi plot kohë, “një jetë të tërë”. Por një çast i humbur sot nuk kthehet më. Po të mbledhim gjithë çastet e humbura deri më tani do të na bëjnë të mendojmë se e kemi shpërdoruar kohën, nuk i kemi dhënë rëndësinë e duhur.
Shpeshherë dëgjojmë që koha barazohet me floririn. A nuk është ky një faktor tregues i pushtetit të saj mbi ne? Pasi unë mendoj se ajo është superiore ndaj nesh. Ne gjithmonë e kërkojmë atë, duam të ecim me ritmin e saj, por jo gjithmonë e arrijmë. E humbim atë duke u shpërqendruar nga dëshirat e tepërta. Por koha është një qëllim. Ose më saktë shumë qëllime që i vendosim vetes, nuk është një dëshirë. Atë s’mund ta kesh kur të duash. Nuk është as nevojë, është synim për t’u arritur. Kjo e bën atë të ecë, pa ndaluar, vetëm e vëtëm që ne të mos hutohemi, por të rendim pas saj.
Po ç’do të ndodhte nëse ne do të ndalonim, sikur dhe vetëm për pak? Unë mendoj se do të humbnim shumë… Dhe pjesa më e vështirë do të ishte të fillonim sërish të vepronim. Do të lodheshim shpejt, sepse ato që kemi humbur për një periudhë të caktuar nuk mundemi t’i rikuperojmë në një ditë. Janë momente, ndjenja, që duan kohën e vet për t’u përjetuar. Prandaj përdoret dhe shprehja “Çdo gjë ka kohën e vet!” Nuk mund të kërkojmë as t’i paraprijmë kohës. Nuk mund ta bëjmë sepse jemi të pafuqishëm. I vetmi shans, do të ishte të bashkoheshin shumë njerëz. Vetëm atëherë koha do të mund ta ndryshonte rrjedhën ose dhe vetëm ritmin e saj. Sepse sado superiore të jetë ajo, është vetëm para një personi. Sepse në fakt jemi ne ata që e bëjmë kohën. Pastaj secili ka si detyrë ta ndjekë atë.
Edhe në këtë aspekt vërejmë natyrën kontradiktore të qenies njerëzore. Çdo gjë në këtë botë sikur lidhet me ne. Koha është vetëm njëra prej tyre. Ne e shohim kohën si periudhën gjatë së cilës jetojmë, vetëm për sa kohë marrim frymë. Kur vdesim themi se kaq e pat dhe koha jonë. Por a është vërtet kështu? Ka njerëz që pasi vdesin harrohen, por ka edhe njerëz që mbahen mend. Koha e tyre s’do të ikë kurrë. Ajo ka ndaluar në një pikë të caktuar dhe që prej aty luan një rol kyç në ruajtjen e identitetit të individit. Unë mendoj se jo të gjithë e kanë privilegjin të jetojnë edhe pasi kanë vdekur. Kjo gjë lidhet drejtpërdrejtë me aktivitetin tonë gjatë gjithë jetës. Nëse ne ia dalim ta shfrytëzojmë kohën në maksimum, të arrijmë qëllimet tona, por ta kalojmë me emocione dhe njerëzit e duhur, vetë koha do të na shpërblejë. Pasi ne do të kemi ditur si ta menaxhojmë dhuratën e dhënë, duke mos ndaluar e duke mos u lodhur kurrë. Këtë mundësi nuk do ta kenë ata që e konsiderojnë kohën vetëm si minuta dhe nuk iu bën përshtypje të ndalojnë apo të ecin përpara. Sepse siç e thashë që në fillim, koha është shumë më tepër se aq.
Vetëm nëse ne arrijmë të kuptojmë ç’është koha, do të dimë si të ecim, si të bashkëjetojmë me të. Si ta bëjmë atë tonën në çdo moment. Do të mësojmë shumë prej saj dhe nuk do të kemi nevojë ta dëgjojmë nga të tjerët sa me vlerë, sa e çmuar është ajo, pasi ne do ta dimë vetë. Madje mund të jemi ne që t’ua diktojmë të tjerëve. Këtë duhet ta bëjmë që në vitet e para të jetës, sepse më pas mund të jetë vonë. Ajo do të ketë ikur dhe bashkë me të dhe vetë njerëzit. Ata do të kenë ikur të paditur për emocionet që do të kalonin, njerëzit e rinj që do të takonin, kohën që do të jetonin. Do të kenë ikur pa bërë asgjë me vlerë dhe pa lënë asnjë gjurmë në botë. Do të kenë ikur pa jetuar fare.
Nina Ahmetaj (nxënëse në klasën e X-10 në shkollën “Qemal Stafa”)
Publikuar më 27.12.2017
©Portali Shkollor-