Paralelja e ndarë në fshatin Shashkoc të Prishtinës ka gjithsej 47 nxënës, ndërsa sipas Udhëzimit Administrativ të MASHTI-t, i vitit 2023, çdo institucion arsimor duhet të ketë të paktën 60 nxënës për të funksionuar. Kjo shkollë funksionon si paralele e shkollës amë “Ditët e Minatorit” në Kishnicë dhe në të nuk ka fare nxënës të klasave 1 dhe 9.
Në një klasë në fshatin Shashkoc të Prishtinës dëgjohen vetëm tre zëra nxënësish.
Për Majlinda Bytyqin dhe dy shoqet e saj, kjo është përditshmëria që nga klasa e parë.
Ato ndjekin mësimet në fshatin Shashkoc të Prishtinës, paralele e ndarë e shkollës amë “Ditët e Minatorit” në Kishnicë.
Megjithëse, Majlinda është mësuar me klasën e vogël, dëshira e saj është që të jetë pjesë e klase më të madhe dhe me më shumë nxënës.
“Unë kisha pas dëshirë me pas klasa jonë më shumë nxënës për me pas më shumë shoqëri ndërmjet njëri-tjetrit”, ka thënë nxënësja Bytyqi.
Mësimdhënësi Naim Bytyqi thotë se struktura e orëve është e njëjtë si në shkollat e tjera.
Megjithatë, sipas tij, në këto kushte me pak nxënës janë vetë fëmijët ata që dëmtohen më së shumti.
Bytyqi është njëkohësisht edhe kryetar i fshatit Shashkoc. Ai tregon se prindërit nuk kanë pranuar të dërgojnë fëmijët në shkollën amë në Kishnicë, për shkak të infrastrukturës rrugore dhe largësisë nga fshati.
“Na edhe me DKA e kemi pasur problem. Vendi jonë është një vend me mbi 800 m naltësi dhe sidomos kur është dimër, kur është më ftoftë është problem që shumë herë autobusi ose veturat mbesin në rrugë. Këtë edhe prindërit e kanë pasur si vërejtje pse nuk kanë pranuar me i dërgu në Kishnicë”, është shprehur ai.
Për këto arsye, drejtori i shkollës në Kishnicë, Vezir Bytyqi, thotë se prindërit kundërshtuan dërgimin e nxënësve të Shashkocit për të ndjekur mësimin tërëditor në shkollën amë.
“Në kuadër të mësimit tërëditor, DKA në Prishtinë ka paraparë që nxënësit e fshatit Shashkoc të vijnë këtu në shkollën amë në Kishnicë. Mirëpo kemi hasur në kundërshtim të komunitetit për t’i dërgu nxënësit këtu. Arsyet janë të shumta, pak është në pyetje edhe distanca, largësia”, ka deklaruar drejtori Vezir Bytyqi.
Në këtë paralele të ndarë nuk ka nxënës të klasës së parë dhe të nëntë, ndërsa gjithsej janë 47 nxënës nga klasa 2 deri në të 8-n.
Drejtori Bytyqi thotë se shpesh mësimdhënësit detyrohen ta zhvillojnë mësimin me vetëm një ose dy nxënës në klasë.
“Zhvillimi i procesit mësimor me dy nxënës nuk është një tregues që dëshmon ngritje të cilësisë në mësim. Kjo krijon vështirësi edhe për vetë mësimdhënësin sepse ndodh që ndonjëri prej nxënësve me mungu atëherë ata janë të detyruar me zhvillu procesin mësimor me vetëm një nxënës”, ka thënë ai.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, thekson se ikja e popullsisë nga zonat rurale nuk duhet të luftohet përmes fëmijëve.
“E para, ikja e njerëzve nga fshatrat, zonat rurale nuk duhet të luftohet përmes fëmijëve. Fëmijët po e paguajnë çmimin e dëshirës që me i mbajt shkollat e hapura. Fëmijët në shkolla të vogla nuk përfitojnë mësim të duhur dhe nuk zhvillohen sa duhet. Prandaj është e domosdoshme që shkollat e vogla të mbyllen. Fëmijëve duhet t’u sigurohet mësimdhënie cilësore”, ka thënë Rexhaj.
Në Kosovë janë gjithsej 193 shkolla amë dhe paralele të ndara që planifikohet të mbyllen deri në vitin 2030, pasi kanë më pak se 60 nxënës.
Vendimet janë marrë mbi bazën e kritereve ligjore dhe numrit të nxënësve, duke i ndarë shkollat në tri kategori: me prioritet të lartë, të mesëm dhe të ulët për mbyllje.
Deri më tash, MASHT-i ka dhënë pëlqim për mbylljen e 14 shkollave të arsimit të obligueshëm. /Marrë nga KOHA.net