Këshilli Drejtues i shkollës “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan ka reaguar ndaj përpjekjeve për organizimin e një mbrëmjeje semimature nga disa prindër të nxënësve të klasave të nënta, duke theksuar se një aktivitet i tillë po planifikohet pa dijeninë dhe pa miratimin e shkollës.
Sipas njoftimit zyrtar, organizimi i semimaturave është i ndaluar në komunë në bazë të një vendimi të nxjerrë nga kryetari i komunës disa vite më parë, vendim i cili vazhdon të jetë në fuqi.
Këshilli Drejtues ka bërë të ditur se çdo organizim i tillë konsiderohet në kundërshtim me vendimin ekzistues dhe ka paralajmëruar se do të njoftohen institucionet përkatëse për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të zbatimit të tij.
Në reagim, prindërit e përfshirë janë ftuar të heqin dorë nga organizimi i paralajmëruar, ndërsa është theksuar se në të kundërtën çështja do të trajtohet nga organet kompetente.
Njoftimi është nënshkruar nga Këshilli Drejtues i shkollës dhe kryetari i tij, Shemsi Gajtani.