Kjo është gjendja e nxënësve të aksidentuar dje në Vushtrri

- Advertisement -

Nxënësit e aksidentuar të enjten në fshatin Galicë të Vushtrrisë, pas ekzaminimeve mjekësore janë liruar për në shtëpi.

Në këtë aksident ka mbetur i vdekur shoferi i minibusit me inicialet H.S., 59 vjeç.

- Advertisement -

Shtatë nxënësit që po transportoheshin për në shkollë me minibus mbetën të lënduar për shkak të aksidentit.

Për gjendjen e tyre ka folur drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiri. Ai tha se gjendja e nxënësve është stabile.

Tahiri për KosovaPress tregoi se dje nxënësit iu janë nënshtruar kontrolleve rutinore në Emergjencë dhe më pas janë liruar për tek familjet e tyre.

- Advertisement -

“Gjendja është shumë e mirë, është stabile. Nuk ka asgjë shqetësuese. Me sa e di unë iu kanë nënshtruar një kontrolli më të hollësishëm dhe si përfundim të gjithë janë në ambientet e tyre familjare. Janë liruar shumë herët. Dje kam qenë pothuajse tërë kohën me ta në emergjencë të spitalit, derisa u liruan të gjithë. Ka pasur një rekomandim për kontrollë rutinore në Prishtinë njëra prej nxënësve, edhe ajo është liruar për në shtëpi”, tha Tahiri.

Sipas policisë, një aksident i rëndë ka ndodhur të enjten paradite në komunën e Vushtrrisë ku ka vdekur shoferi i një autobusi dhe janë lënduar disa persona.

Policia tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00 në rrugën lokale në fshatin Galicë të Vushtrrisë.

“Në aksident është përfshirë një veturë, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara rreth orës 11:00 nga SHSKUK-ja është raportuar se ka humbur jetën shoferi i automjetit viktima H. S., 59 vjeçar, ndërsa lëndime kanë pësuar edhe shtatë pasagjeret që ndodheshin në automjet”, njoftoi Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, nga hetimet e para të zhvilluara në vendngjarje bëhet e ditur se si shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë “pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ku për pasojë vetura përfundon jashtë rrugës”.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se aksidenti ka ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Duboc. / KosovaPress