Kjo është gjendja e nxënësve që u kafshuan nga qeni në Shirokë të Suharekës

- Advertisement -

Katër nxënës kanë pësuar lëndime nga sulmi i qenit brenda shkollës fillore “17 Shkurti” në fshatin Shirokë të Suharekës të mërkurën.

Policia e Kosovës ka njoftuar se njëra prej nxënësve (tetëvjeçare) ka pësuar lëndime më të rënda. Ajo është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit pasi është kafshuar në kokë.

- Advertisement -

Edhe një tjetër është dërguar për trajtim në Prizren, ndërsa dy të tjerë kanë lëndime më të lehta.

Shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, ka thënë se tetëvjeçarja me lëndime në kokë është hospitalizuar në repartin e Infektivës, ndërsa një tjetër është liruar për në shtëpi.

“Një është hospitalizuar në repartin e Infektivës, e tjetra është liruar për shtëpi. I ka disa plagë, mandej është hospitalizuar”, ka thënë ai për KOHËN.

- Advertisement -

Gjithashtu, është bërë e ditur se qeni nuk ka qenë endacak, por me pronar.

Sipas Policisë, pronari i qenit është identifikuar dhe është arrestuar.

Qeni, siç thotë njoftimi, ka sulmuar edhe pjesëtarët e Policisë, por të cilët kanë arritur ta neutralizojnë brenda ambienteve të shkollës.