Shkolla “Dardania” në Prishtinë ka njoftuar se pas renovimit të objektit tashmë është e gatshme edhe biblioteka shkollore, që të mbështesë nxënësit dhe mësimdhënësit me literaturë edukative, shkruan AlbanianEducation.net.
Njoftimi i shkollës “Dardania” në Prishtinë:
Bibliotekat janë institucione kulturore dhe edukative që shërbejnë si burime të pasura informacioni për nxënësit. Ato nuk janë thjesht vende ku ruhen libra, por edhe qendra të dijes, kërkimit dhe zhvillimit intelektual.
Bibliotekat mbeten një nga burimet më të rëndësishme të dijes dhe kulturës. Edhe pse teknologjia po ndryshon mënyrën se si e konsumojmë informacionin, rëndësia e bibliotekave nuk venitet, por vetëm përshtatet me kohën.
Ato ndihmojnë në edukimin e nxënësve, nxisin leximin dhe ofrojnë një ambient të qetë për lexim, studim dhe reflektim.
Biblioteka jonë shkollore, nga sot, është e gatshme të mbështesë nxënësit dhe mësimdhënësit me literaturë edukative. Një falënderim i veçantë shkon për arsimtarët Ilirjana Nishevci dhe Fadil Destani, të cilët punuan me përkushtim për të funksionalizuar bibliotekën shkollore.