Vala e katërt e ka demonstruar qartë: Covid-19 nuk kursen as fëmijët. Për fat të mirë, shumica e tyre përjetojnë simptoma të lehta.
Megjithatë, ata mund të zhvillojnë një ndërlikim shumë të rrezikshëm: sindromën inflamatore multisistemike ose MIS-C. Është një sëmundje që nuk duhet nënvlerësuar, por nëse trajtohet në kohë, mund të mos lërë asnjë pasojë.
Pse të rriturit dhe fëmijët sëmuren ndryshe?
Është e vërtetë që në fazat e hershme Covid-19 dukej se prekte kryesisht të moshuarit dhe më të dobtit, por me kalimin e kohës u kuptua se në realitet asnjë kategori nuk është imune. Fëmijët priren të zhvillojnë simptoma më të lehta se të rriturit, por ndonjëherë mund të zhvillojnë forma serioze që kërkojnë shtrimin në spital. Për më tepër, tek fëmijët virusi SARS-CoV-2 mund të shkaktojë sindromën inflamatore të multisistemike, MIS-C, e cila mund të jetë veçanërisht agresive dhe kërkon kujdes intensiv.
Çfarë është MIS-C?
Në mënyrë tipike, MIS-C shfaqet një muaj deri në një muaj e gjysmë pas Covid-19, edhe tek fëmijët që nuk kanë pasur simptoma ose që kanë pasur vetëm simptoma të lehta. Mund të shkaktojë inflamacion në pjesë të ndryshme të trupit, si zemra, mushkëritë, veshkat dhe trakti gastrointestinal. Sipas vlerësimeve, në 80-85% të fëmijëve shkakton një alterim të barkushes së majtë, dhomës së zemrës që çon gjakun në të gjithë trupin.
Çfarë i bën koronavirusi zemrës?
Sipas një studimi të koordinuar nga një ekip studiuesish nga Universiteti i Pensilvanisë, botuar në “Journal of the American Heart Association”, fëmijët që zhvilluan sindromën inflamatore multisistemike pas Covid-it patën rikthim në funksionin normal të zemrës brenda tre deri në katër muajve.
Hulumtimi përfshiu 60 fëmijë, me një moshë mesatare 11 vjeç, të cilët ishin shtruar në spital për MIS-C midis prillit vitit 2020 dhe janarit të vitit 2021. Të gjithë iu nënshtruan një sërë kontrolloesh të zemrës, gjatë dhe pas shtrimit në spital. Autorët krahasuan rezultatet e këtyre studimeve me ato të studimeve të ngjashme të kryera te fëmijët që nuk kishin pasur as MIS-C dhe as Covid.
Nga krahasimi doli se fillimisht te fëmijët me MIS-C kishte një problematikë të rëndësishme të funksionit kardiak, aq sa 81% e tyre kishin probleme me tkurrjen e barkushes së majtë. Megjithatë, pas javës së parë të shtrimit në spital, situata ishte përmirësuar dhe brenda tre deri në katër muajve, fëmijët e kishin rikuperuar plotësisht funksionin e zemrës.
“Shërimi i këtyre fëmijëve ka qenë i shkëlqyer. Rezultatet tona mund të ofrojnë gjithashtu një udhëzues për një rikthim gradual në sport tre deri në katër muaj pas zgjidhjes së problemeve të zemrës”, shpjeguan autorët e hulumtimit, të cilët gjithashtu e bënë më të qartë se çfarë është sindroma inflamatore multisistemike.