Kosova ka disa komunitete pakicë. Derisa mbi 92% e popullatës janë shqiptarë, pjesa tjetër janë serbë, romë, boshnjakë, ashkalinj, egjiptian, goranë e turq.
Por këta të fundit, e kanë kuptuar se mësimi i gjuhës shqipe, përkatësisht gjuha e popullatës shumicë u hap më shumë perspektivë për punësim. Prandaj, në Mamushë kanë nisur të mësojnë gjuhën shqipe. Në ndihmë u ka dalë KFOR-i turk.
Nxënësit e gjimnazit “Ataturk” në Mamushë, pak ose aspak dinë të komunikojnë në gjuhën shqipe.
Mësuesja Merita Sezallari thotë për RTK-në se është e vështirë për këta nxënës, mësimdhënia e mësim-nxënia në gjuhën shqipe. Por, me ndihmën e KFOR-it turk, nxënësit e një klase në këtë komunë, tashmë do të mësojnë shqip.
“Orët shtesë duhet të na ndihmojnë edhe ne si mësimdhënës, për shkak se, duhet ta njohin gjuhën shqipe, për shkak se numri i nxënësve që flasin në shpi në gjuhën turke është i madh dhe është e nevojshme. Patjetër kudo që do të shkojnë këta ju nevojitet gjuha shqipe”, tha Sezallari.
Kryetari i Mamushës, Abdyladi Krasniqi, tregon se ai ka kërkuar nga qeveria turke, që të ndihmojë në mënyrë që nxënësit e këtij komuniteti të mësojnë gjuhës shqipe.
“Falënderoj shumë ministrin dhe KFOR-in Turk për mbështetjen e menjëhershme , për nevojat dhe kërkesat tona për hapjen e kësaj klase për arsimimin e qytetarëve dhe nxënësve të komunës së Mamushës në gjuhën shqipe”, tha ai.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tungj Angili thotë se mësimi i gjuhës shqipe i të rinjve, do t’ju mundësojë t’i kenë dyert e hapura për punësim edhe jashtë Mamushës.
“Unë po bëj pyetje. Pse nuk ka deputet nga Mamusha? Ndërsa një përgjigjie nuk munda ta gjejë. Por të mësohet gjuha shqipe dhe angleze veçanërisht gjuha shqipe, kjo do të hapte shumë rrugë”, tha ai.
Kursi në gjuhën shqipe dhe atë të gjuhës angleze në Mamushë është mundësuar nga KFOR-i Turk, i cili ka blerë të gjitha pajisjet.
Deri para vitit 2008, kur edhe u bë komunë, Mamusha ishte në kuadër të komunës së Prizrenit e ku 90% e banorëve të saj janë deklaruar se i takojnë komunitetit turk.