Përsheshi me gjel deti është një nga recetat më të dashura të cilat përgatiten gjithmonë për darkën e ndërrimit të viteve.
Përgatitja e tij në qytete të ndryshme të Shqipërisë, bëhet edhe me bukë misri. Shija e tij është fantastike dhe mund ta shoqëroni me të gjitha sallatat e tjera. Përveç mishit të gjelit të pjekur, përsheshi është perfekt me rosto, sallatën ruse, salcën e kosit, sallatën me turshi apo atë me perime të pjekura. Si çdo recetë edhe përgatitja e përsheshit ka truket e veta të cilat nisin që tek pjekja e kulaçit.
Të gjitha sekretet, AgroWeb ua zbulon në këtë artikull.
Pjekja e duhur e kulaçit
Kulaçi është një nga përbërësit kryesorë të përsheshit dhe si i tillë ai mban dhe peshën më të madhe të recetës. Për të parë nëse kulaçi është pjekur siç duhet edhe brenda, bëni provën me thikën. Merrni një thikë dhe shponi mesin e kulaçit, nëse sipërfaqja e saj del e pastër atëherë brumi është pjekur. Pasi ta keni pjekur kulaçin duhet ta lini të ftohet. Kështu ai do të ketë kulluar siç duhet dhe brumi i tij nuk do të ngelet i mbledhur, por do të jetë poroz.
Skuqeni kulaçin me gjalpë
Një hap shumë i rëndësishëm për përgatitjen e përsheshit është edhe skuqja e kulaçit. Pasi ta keni copëtuar kulaçin duhet ta skuqni patjetër me gjalpë të freskët. Sigurohuni që ta skuqni derisa kulaçi të marri një ngjyrë të artë. Kini kujdes të mos e digjni, ose ta lini të paskuqur pasi ndryshe përsheshi nuk del siç duhet. Nëse e skuqni më shumë kulaçin, përsheshi do të mbetet i fortë dhe me shije jo të mirë. Nga ana tjetër nëse nuk e skuqni sa duhet përsheshi do të zbutet më shumë duke u bërë i ujshëm.
Lëngu i gjelit të detit
Pasi ta keni skuqur kulaçin, të keni shtuar petat dhe arrat është pjesa kur duhet t’i bashkoni me lëngun e gjelit të detit. Kini kujdes të mos e teproni me sasinë e tij pasi më pas përsheshi do të dalë i lëngshëm dhe do t’i ngjasojë qullit. Nga ana tjetër, nëse hidhni më pak lëng mishi, përsheshi nuk do të zbutet mirë, e do të ngelet i thatë dhe i fortë.