Organizimi dhe përgatitja e duhur për provime mund të bëjë të gjithë ndryshimin në performancën në shkollë.
Studimi efektiv fillon me qëndrimin e duhur – një këndvështrim pozitiv mund ta zhvendosë studimin nga një ndëshkim në një mundësi për të mësuar.
Gjetja e mënyrës më të mirë për të studiuar është një proces i vazhdueshëm. Nuk është diçka që mund të lihet natën para provimit. Ju duhet të përmirësoni vazhdimisht aftësitë tuaja të studimit për të kuptuar më mirë se çfarë funksionon për ju (dhe çfarë jo).
Të mësosh se si të studiosh më mirë ndihmon në shmangien e panikut përpara provimeve. Në fund të fundit, ka më shumë gjasa të dilni mirë në një provim, kur jeni më pak të stresuar përpara atij provimi. Më poshtë do të mund të njiheni me 12 mënyra të vlefshme për të mësuarin efektiv.
- Organizohuni.
Mbani gjithmonë një bllok ku të shënoni detyrat e shtëpisë. Mbajtja shënim e detyrave të shtëpisë, projekteve dhe testeve sapo ato jua japin mësuesit apo pedagogët, shmangin mundësinë që t’i harroni ato. - Jini të vëmendshëm në klasë.
Është e rëndësishme të përqendroheni dhe të shmangni shpërqendrimet kur mësuesi flet. Praktikoni dëgjimin aktiv duke u përqendruar në atë që thuhet dhe duke mbajtur shënime me fjalët tuaja. Kjo do t’ju ndihmojë të siguroheni që të kuptoni dhe të mbani mend ato që përmenden në klasë. - Largojini shpërqendrimet.
Mund të shpërqendroheni nga gjëra të ndryshme – nga telefonat celularë, nga rrjetet sociale, nga miqtë tuaj. Jini të vetëdijshëm për atë që ju shpërqendron në klasë dhe mundohuni t’i shmangni këto shpërqendrime. Shmangni uljen pranë shokëve tuaj, nëse e dini se ata do t’ju shpërqendrojnë. Fikja e celularit do t’ju ndihmojë gjithashtu të siguroheni se po i kushtoni vëmendje mësuesit tuaj. - Sigurohuni që shënimet tuaja të jenë të plota.
Mbajtja e shënimeve të qarta dhe të plota në klasë, do t’ju ndihmojë të përpunoni informacionin që po mësoni. Këto shënime mund t’i përdorni gjithashtu si shënime studimi që mund të rishikohen përpara një testi. Flisni me miqtë ose mësuesin nëse keni humbur një orë mësimi për t’u siguruar që shënimet tuaja të jenë të plota. - Pyesni për gjërat që nuk i kuptoni.
Ngrini dorën dhe bëni pyetje nëse nuk kuptoni diçka. Nëse nuk ndiheni rehat duke pyetur para të gjithëve, dilni pasi të mbarojë ora e mësimit dhe pyetini jashtë mësuesit tuaj për gjërat e paqarta. - Harto një plan studimi.
Kur hartoni një plan studimi mendoni gjithmonë nëse mund ta arrini atë. Mendoni për llojet e pyetjeve që do të jenë në provim dhe temat që do të trajtohen (ato që janë diskutuar më shpesh), në mënyrë që të dini se ku duhet të përqendroheni më tepër. Vendosni synime specifike për çdo pjesë studimi. - Hidhini gjithmonë një sy në mbrëmje shënimeve që keni mbajtur në klasë.
Pas shkollës, rishikoni dhe korrigjojini shënimet nga klasa. Rishikimi i shënimeve ndihmon në zhvendosjen e materialit të mësuar nga kujtesa afatshkurtër në kujtesën afatgjatë dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme. - Flisni me mësuesit tuaj.
Mësuesit janë aty për t’ju ndihmuar të bëni më të mirën. Bisedoni me mësuesin tuaj dhe kërkoni sqarime ose ndihmë shtesë, nëse keni nevojë për sqarime përpara provimit tuaj. Marrja e iniciativës për të kërkuar ndihmë është një nga hapat më efektivë për të mësuar siç duhet. - Përcaktoni një vend studimi.
Vendi më i mirë i studimit është ai që është i qetë, i ndriçuar mirë dhe në një zonë me pak njerëz. Sigurohuni që të ketë një hapësirë të qartë pune për të studiuar dhe për të shkruar. Nevojat e secilit janë të ndryshme, prandaj është e rëndësishme që të gjeni një vend që funksionon mirë për ju. - Studioni me kohë të shkurtra.
Për çdo 30 minuta që studioni, bëni një pushim të shkurtër 10-15 minuta për t’u qetësuar. Seancat e shkurtra të studimit janë më efektive dhe ju ndihmojnë të shfrytëzoni sa më shumë kohën tuaj të studimit. - Thjeshtojini shënimet tuaja.
Bëjeni studimin më pak të lodhshëm duke i përmbledhur shënimet nga klasa. Nënvizoni fjalët kyçe, ose fjalitë më të rëndësishme. Krijoni mjete ndihmëse vizuale si grafikët, ose skicat për të organizuar dhe thjeshtuar informacionin dhe për t’ju ndihmuar të mbani mend më mirë. - Studioni në grup.
Puna me miqtë tuaj krijon një mjedis interaktiv për t’ju mbajtur të angazhuar. Kjo ju jep një shans për të testuar njohuritë tuaja me të tjerët, për të pyetur njëri-tjetrin për përmbajtjen dhe për të ndihmuar në forcimin e besimit tek vetja të njëri-tjetrit.