Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka nënshkruar një vendim, i cili liron nga pagesa e banimit dhe ushqimit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë (QSP), një pjesë të studentëve.
Nagavci, ka bërë të ditur se studentët të cilët lirohen nga pagesa janë fëmijët e dëshmorëve, fëmijët e invalidëve të luftës, fëmijët që u takojnë familjeve me asistencë sociale, dhe studentët me nevoja të veçanta.
Tutje, ajo ka shkruar se për pagesën e banimit në konvikte do të lirohen edhe studentët nga parlamenti studentor i UP-së dhe studentët të cilët janë më shumë se një studentë nga një familje banues në QSP.
“Për studentët tanë, do të vazhdojmë angazhimin e përkrahjen e pakursyer”, ka shkruar Nagavci.
NJOFTIMI:
Kam kënaqësinë të ndaj një lajm të mirë për studentët e Qendrës së Studentëve në Prishtinë.
Me qëllim të mbështetjes dhe asistencës së disa kategorive të studentëve, kam nënshkruar vendimin për lirimin nga pagesa e banimit dhe të ushqimit në mensë të Qendrës së Studentëve në Prishtinë.
Përmes këtij vendimi do të lirohen nga të gjitha detyrimet për pagesën e banimit në konvikte dhe të ushqimit në mensë, kategoria e studentëve si në vijim:
Studentët, fëmijët e dëshmorëve;
Studentët, fëmijët e invalidëve të luftës;
Studentët e familjeve përfituese të asistencës sociale;
Studentët me nevoja të veçanta.
Studentët e familjeve përfituese të asistencës sociale, duhet të parashtrojnë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, kërkesën për lirim përkatës nga pagesa të caktuar me konkurs.
Gjithashtu, nga pagesa e banimit në konvikte të Qendrës së Studentëve në Prishtinë do të lirohen edhe kategoria e studentëve si në vijim:
Parlamenti studentor i UP-së;
Studentët të cilët janë më shumë se një studentë nga një familje banues në QSP (lirohet një).
Për studentat tanë, do të vazhdojmë angazhimin e përkrahjen e pakursyer.