“Për të shuar kureshtjen e brezave të sotëm për emrimet e kohës së Mbretërisë, po riprodhoj me saktësi dekretin përkatës që m’u dërgua mua dhe Përmetit”. Kështu shkruhet në librin “Lame Xhama, Mësues i popullit.
“Kujtime dhe dokumente”. është një deshmi dhe njoftim mjaft interesant që bën vërtet përshtypje, pasi na ve në dijeni për një veprim mjaft të bukur e të mençur të periudhës së Monarkisë së mbretit Zog.
1.Emërimi bëhej me dekret të Ministrisë së Arsimit, ku përcaktohej edhe rroga mujore që nga dita e fillimit të punës.
2. Mësuesi ditën e parë të fillimit të punës “betohej”. Me këtë rast po citoj të plotë kujtimet e Mësuesit të Popullit Lame Xhama: “Siç shkruhej e kërkohej në faqen e pasme të dekretit, duhej të jepja fjalën: “Fjalën e besës në mënyrë të ligjës së nëpunësve”. Ky ishte betimi si mësues, si nëpunës shteti dhe kjo të pasqyrohej e shkruar në një dokument zyrtar….”
3.Mësuesi paraqitej te drejtori i shkollës, i cili në prani edhe të disa mësuesëve të shkollës, lexonte dekretin ardhur nga Ministria e Arsimit për emrimin e mësuesit të ri. Pas betimit drejtori firmoste dhe vuloste dekretin. Në fund firmoste edhe mësuesi i porsaemruar. Ky ishte dhe mbetej dokument zyrtar, por edhe një pasuri shpirtërore e mësuesit, që e frymëzonte për t’i shërbyer kombit kudo e për gjithë jetën.
Siç edhe shihet nga këto pak rradhë kujtimesh, duke lënë më një anë formën zyrtare dhe burokratike të këtyre veprimeve, një gjë bën përshtypje: kujdesi i institucioneve zyrtare, për ta vlerësuar dhe vendosur mësuesin në radhën e meritura e të nderuar të nëpunësit të shtetit. Për këtë mjafton vetëm ceremonia e betimit dhe ndjesia që përjetohet në këtë rast, që për mësuesit është ngazëllyese. Vërtet Mësuesi Lame Xhama shprehet “Sa për të shuar kureshtjen”, po ceremonia e “Betimit” ka lënë gjurmë në kujtesë, jo vetëm te ai. Kjo duket edhe në shkrime të autorëve të ndryshëm, si ”Gjon Gjoni në librin “Udhërëfyesit e dijes – Portrete Arsimtarësh”, ku përmend fjalët e një mësuesi që thotë: “Mësuesit para se të fillonin punë duhet të bënin betimin”.
Praktika dhe ceremonia për emrimin e msuesit, është qëllimisht e humbur, apo e harruar, pas mbarimit të luftës së dytë, ndryshe mbas çlirimit të vendit. është e padobishme të hyjmë në analizë dhe diskutim se pse u la në heshtje “Betimi i mësuesit”, sepse mjafton të kujtojmë ato vite kur ne betoheshim te partia, te rinia e më tej akoma, si fëmijë nëpër shkolla te organizata e pionerëve. Betoheshim jo si nëpunës të shtetit, por si pjestarë të organizatave politike e ideologjike.
Te ne jo vetëm që u mallkua e u mohua gjithçka e mirë nga periudha e Monarkisë, si pasuri dhe arritje e dobishme e historisë dhe kulturës sonë pedagogjike, por nuk pranuam edhe përvojën që vinte nga bota, sepse vite të shkuara “Betimin e mësuesit” e kërkonte të zbatohet kudo nëpër botë, sepse e ndjente vlerën e pranimit me vetëdije të profesionit të mësuesit, si misionar i përcjelljes së dijes dhe kulturës te brezat e rinj.
Ja teksti i betimit të mësuesit i përpiluar nga R. Dottrens më 1966 për nevojat e UNESKO-s.
“Do ta kryej detyrimin tim me ndërgjegje dhe krenari.
Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do t’i harroj, që për fatin e tyre edhe vetë mbaj një pjesë të përgjegjësisë.
Do ta mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit.
Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqtë e mi. Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që, vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjithave të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim.
Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nder”.
Të dy shembujt, si nga trashëgimia e arsimit tonë dhe nga përvoja e botës, besoj se na vlejnë që, në reformat e mëdha që janë ndërmarë e po vazhdojnë në fushën e arsimit, të këthejmë sytë edhe ndaj figurës së mësuesit, për t’i dhënë atij krenari dhe dinjitet në shoqëri, sepse e meriton. Hallakatemi nëpër botë e vrapojmë të marrim gjëra të mëdha, po ç’ka se tonat i kemi nëpër duar, të bukura e pa mundim. Le të këthejmë sytë te gjërat e mira që ka krijuar e trashëguar pedagogjia jonë ndër vite.
Betohet presidenti i vendit, betohen deputetët, ministrant, po ashtu ushtarakët dhe mjekët në betimin e tyre professional të “Hipokratit”. Mësuesi jo !? Më pak i rendësishëm është misioni i mësuesit, që i përgatit të gjithë këta njerëz të ditur e të zotë që drejtojnë e mbrojnë shtetin dhe kombin ?. çudi !? Sepse mijra vite më parë, në antikitet, Hipokrati “Babai i mjekësisë”, kur bënte betimin e mjekut, mësuesin e barazonte me perëndinë dhe familjen….”Betohem përpara të plotfuqishmit, përpara familjes sime, mësuesëve të mi…….”
E bukur thënia e F. N. Babuef: “Në shoqërinë e ardhëshme, personaliteti kryesor do të jetë mësuesi dhe jo gjenerali”
Le të shpresojmë !
Përgatiti, Kadri Tarelli