Këshilltari në ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Valdrin Dervishaj, ka thënë se mësimi do të mbahet të shtunave për t’i kompensuar orët e humbura gjatë grevës në arsim.
Ai e ka cilësuar skandaloz thirrjen e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë për moszbatim të këtij vendimi.
“Ky vendim është nxjerrë prej një organi të vetëm që ka kompetencë në hartimin e një kalendari shkollor”.
“Kështu kemi ardhur në një plan që parasheh zhvendosjen e mësimit në tetë të shtune gjatë gjysmë-vjetorit të parë”.
“Ne presim që nesër të kemi një proces të rregullt ku mësimdhënësit të jenë aty për mësimdhënie dhe nxënësit për mësimnxënie”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.
Ai ka shtuar se deklarata e SBAShK-ut bie ndesh me kodin penal sepse thirrja për moszbatim të një vendimi të lëshuar nga një organ kompetent ndëshkohet me ligj.
“Prindërit duhet t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë sepse kjo është detyrë e tyre dhe mësimdhënësit duhet të jenë aty”.
“Ju e dini që ministria e Arsimit ka bërë ekzekutimin e pagave në formë të parapagimit. Ne kemi angazhuar të gjithë inspektorët që ta vëzhgojnë zbatimin e kalendarit”, ka deklaruar ai.