Këshilli i Prindërve ka takuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Këshilli përmes një komunikate ka treguar çfarë kanê biseduar konkretisht:
Me kërkesë të Këshillit të Prindërve të Kosovës, sot me datën 2 shtator 2024 u realizua një takim me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, znj. Arbërie Nagavci, z. Fatos Osmani – këshilltar, dhe z. Avni Rexha – ud. Drejtor. Në këtë takim, Këshilli i Prindërve të Kosovës u përfaqësua nga z. Besnik Dragusha – kryetar, z. Visar Islami – nënkryetar, dhe znj. Linda Dula – nënkryetare.
Në këtë takim zhvilluam diskutime për fillimin e procesit mësimor në nivelin parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe sfidat për një vit shkollor të suksesshëm.
Temat kryesore mbi të cilat diskutuam sot, ishin:
– Zhvillimi i procesit të sigurimit të teksteve shkollore dhe pengesat që ishin në këtë proces;
– Vështirësitë në sigurimin e teksteve shkollore për shkak të disa mungesave në treg;
– Përpilimi i kalendarit shkollor 2024-25;
– Rëndësinë e zhvillimit të mësimit gjithë-ditor;
– Testi i maturës dhe rëndësia e largimit të pragut të kalueshmërisë;
– Vonesat në fillimin e procesit mësimor në disa shkolla si pasojë e vonesave në përfundimin e punimeve në renovimin e tyre; dhe
– Kushtet e punës së këshillit.
Po ashtu, në këtë takim adresuam të gjitha shqetësimet e pranuara deri me tani nga të gjithë prindërit e këshillave komunale të Kosovës.