Kërcënimet e shumta të bëra ndaj drejtoreshës së shkollës së mesme në Gjakovë kanë bërë që ajo të largohej nga shtëpia e saj duke u ndjerë e rrezikuar.
Mes këtyre thirrjeve ka pasur edhe të tilla që ajo të sulmohet me acid, derisa fushata e linçimeve në rrjetet sociale është bërë e egër dhe masive.
Familjarët e Florentina Gjergjaj, i kanë thënë gazetës Nacionale se ajo po ndihet plotësisht e pasigurt për shëndetin e saj.
Javën e kaluar u paraqit një fotografi që shkaktoi debat të madh në publik. Në shkollën e Mesme Teknike ”Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, ishte vendosur një shenjë ku tregonte se ndalohej mbulesa e vajzave brenda hapësirave të shkollës.
Reagimet ishin të menjëherëshme kundrejt drejtoreshës së shkollës Florentina Gjergjaj, ku nuk munguan edhe politikanët dhe figurat e tjera publike. Linçimet publike tashmë kanë eskaluar në kërcënime kundrejt drejtoreshës së shkollës së mesme në Gjakovë.
Nacionale përmes bisedës me një familjar të Gjergjajt – i cili insistoj të mbetej anonim për publikun, por që është emër i njohur për redaksinë – ka thënë se prej 31 marsit, Gjergjaj është larguar nga shtëpia e saj pasi frikësohet për sigurinë e saj fizike dhe të familjarëve të saj.
“Po e linçojnë. Po bajnë thirrje për t’ja djeg fytyrën me acid” – thotë familjari i saj për Nacionalen.
Ai vazhdon të tregoj se së bashku me drejtoreshën janë larguar nga Gjakova edhe fëmijët e tyre pasi edhe ata ndihen të kërcënuar.
“Kanë nisë me i shpërnda fotot e fëmijëve nëpër rrjete sociale, s’janë ka ndalen” – vazhdon rrëfimin familjari i Gjergjajt.
Gjithashtu, familja ka kërkuar që të ndërhyjnë institucionet, duke e parë se situata me kërcënime tashmë ka eskaluar.
‘‘Ne e kemi pa që institucionet nuk kanë pasë interes me e trajtu këtë çështje. Për më tepër, i kanë nxitë vet sulmet me deklaratat e tyre, qoftë deputetja Dude Bajle, qoftë kryetari [i Komunës së Gjakovës] Ardian Gjini, qofshin figura tjera publike’’ – thuhet në letrën që familja ka dërguar në Nacionale.
Familjari i Florentina Gjergjajt vazhdon të thotë se duke parë që “nga e enjta vazhdimisht kemi treguar publikisht se janë duke ardhur kërcënime të njëpasnjëshme ndaj Florentinës” ata kanë vendosur të largohen nga Gjakova.
Familjari po ashtu i thotë Nacionales se nëpër rrjetet sociale po shpërndahen montazhe kinse të Florentina Gjergjajt dhe ku kinse përdoret gjuhë e ashpër karshi komunitetit mysliman në Kosovë.