Katër të rinj nga Kosova , Blertoni, Flakrina, Milosi dhe Adelina, kanë nisur së fundi një udhëtim të ri akademik në njërin prej universiteteve më prestigjioze në Itali, Universitetin LUISS Guido Carli në Romë.
Vetëm pak javë më parë, ata filluan studimet master në fusha të ndryshme, duke përfaqësuar me dinjitet dhe ambicie rininë kosovare në arenën ndërkombëtare.
Për ta, LUISS nuk është vetëm një universitet, por një mundësi për të ndërtuar karrierë, për të fituar dije të reja dhe për t’u bërë pjesë e një komuniteti akademik global. Të katër këta studentë po tregojnë se talenti dhe përkushtimi i të rinjve nga Kosova mund të shkëlqejnë në çdo vend.

Ndërkohë, Ambasada e Kosovës në Itali, e cila i priti studentët në Romë, ka vlerësuar lartë energjinë dhe vizionin e tyre. Në njoftimin e saj thuhet:
“Ishte kënaqësi t’i prisnim në Ambasadë. Sollën me vete pozitivitet, optimizëm, dije dhe një dëshirë të madhe për të mësuar më shumë. Krenarë dhe të lumtur për rininë tonë.”
Ky takim simbolizon jo vetëm mbështetjen institucionale për studentët kosovarë jashtë vendit, por edhe besimin se investimi në arsim është një nga rrugët më të sigurta drejt suksesit./Albinfo.ch