E martë, 26 Nëntor, 2024

Kandidatët ngelin në test, dështon konkursi për drejtor të Bibliotekës Kombëtare

- Advertisement1-

Shtatë prej trembëdhjetë vetave që ia kishin mësyrë pozitës së drejtorit të bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, nuk ia kanë dalë ta kalojnë testin me shkrim. Ministria e Kulturës ka njoftuar për anulimin e konkursit pa dhënë arsye. E, në mesin e kandidatëve ka edhe ish-udhëheqës të Bibliotekës e të institucioneve nën varësi të MKRS-së për hiç më pak se tetë vjet.

Është bërë traditë tashmë që asnjëri konkurs për drejtor a udhëheqës institucionesh kulturore e të trashëgimisë të mos shkrepë më të parën. I radhës, ai për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Trembëdhjetë veta ia kishin mësyrë kësaj pozite, dhjetë ishin kualifikuar për fazën e radhës, shtatë kishin hyrë në testin me shkrim, asnjëri nuk ka kaluar. Për anulimin e konkursit ka njoftuar Ministria e Kulturës nëpërmjet njoftimit të protokolluar në ditën e dytë të këtij muaji pa dhënë arsyet, pos atyre administrative.

- Advertisement -

Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj, Shukrije Rama kanë qenë dhjetë kandidatët të cilët, sipas “Njoftimit për verifikim paraprak” të datës 21 mars, kishin “plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tej”. Akif Shkreta, Flamur Maloku e Ismail Gagica ishin refuzuar. Konkursi ishte hapur prej 9 shkurtit deri më 9 mars. Testimi ishte mbajtur të premten e kaluar. Defrim Gashi, Murteza Osdautaj, Samir Sallahu nuk kishin shkuar në test.

“Konkursi është anuluar, sepse asnjë nga kandidatët nuk ka arritur pikët”, ka thënë Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në përgjigje të shkurtër me SMS, të enjten vonë. Testi ka pasur 70 pikë. Kandidatët duhet të kenë së paku 50 që ta kalojnë atë.

“Pyetje nga letërsia dhe juridiku. Po ashtu edhe drejtshkrim”, ka thënë njëri prej kandidatëve. “Ka pasur detyra për ndreqje gabimesh drejtshkrimore e përdorim fjalësh në fjali. Njëra prej pyetjeve ka qenë se cili është libri i parë i regjistruar në Bibliotekë me tre opsione: ‘Meshari’ i Buzukut, ‘Çeta e profetëve’ e Bogdanit, ‘Historia e Skënderbeut’ e Barletit”, ka ilustruar kandidati i cili nuk ka pranuar ta komentojë procesin.

Këshilli Drejtues, sipas Ligjit për bibliotekat, zgjedh dhe shkarkon drejtorin. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i Bibliotekës Universitare dhe drejtori i Bibliotekës Komunale duhet të ketë se paku diplomë universitare. Mandati i drejtorit është katërvjeçar (4) me mundësi të rizgjedhjes”, shkruhet në nenin 11 të Ligjit. Në këtë ligj, sikurse edhe në Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë të Punës, në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në Statutin e BKK-së ishte hapur edhe konkursi.
“Diplomë universitare, në: Fakulteti i Arteve, Fakulteti Filologjik, Fakulteti Filozofik, se paku gjashtë (6) vjet përvojë pune profesionale, përfshire së paku tre (3) vjet në pozita drejtuese”, ka qenë kriteri i parë te “Shkollimi i kërkuar, përvoja, aftësitë dhe karakteristikat personale”. Mandati është katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje.

“Udhëheq, organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë dhe funksionimin e Bibliotekës, i propozon Këshillit Drejtues planin vjetor dhe planin financiar; Për punën e tij i raporton dhe i përgjigjet Këshillit Drejtues. Merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues pa të drejtë vote; Përfaqëson Bibliotekën brenda dhe jashtë vendit; Ushtron detyra dhe autorizime tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi”, janë gjashtë prej dymbëdhjetë “detyrave dhe përgjegjësive” të përcaktuara edhe me konkurs.
Fazli Gajraku për tetë vjet ka qenë drejtor i BKK-së. Ia ka mësyrë edhe një mandati pasi i kishte skaduar i dyti më 25 mars të këtij viti. S’e ka kaluar testin.

“Ky vend ma ka dhënë mundësinë që ta drejtoj BKK-në për dy mandate. Kam kandiduar për mandatin e tretë dhe jam informuar se procedura nuk do të vazhdojë. Kam dashur që të zgjidhem edhe një mandat për të vazhduar reformat komplekse që kemi nisur”, ka thënë ai të enjten në bisedë telefonike.

- Advertisement -rrrrrrr

Ngjashëm sa u përket pozitave në institucione kulturore ka qenë edhe Shefqet Gjocaj, i cili për dy mandate ka qenë drejtor i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Edhe ai ia kishte mësyrë mandatit të tretë në “Shotë”, por ishte mposhtur nga drejtori aktual Mehmed Xhemajli.
Institucionet e kulturës kanë pasur përherë telashe me konkurse drejtorësh, anulime e rihapje. “Rast i rëndë”, vazhdon të mbetet Galeria Kombëtare e Kosovës. Prej gushtit të vitit 2020 kur i kishte skaduar mandati katërvjeçar Arta Aganit, udhëhiqet me zëvendësues të drejtorit.

Para një dekade Biblioteka Kombëtare e Kosovës kishte pasur një odise me rastin e drejtorit. Tri shkelje ligjore të Ministrisë së Kulturës, asokohe të udhëhequr prej Memli Krasniqit, kishin bërë që e gjithë procedura e rekrutimit të drejtorit të anulohej. Por MKRS-ja nuk ishte e vetme. Shkelje kishte bërë edhe Këshilli Drejtues që udhëhiqej nga Sali Bashota, drejtor i BKK-së për një dekadë. Këto gjetje të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës do ta kthenin konkursin në pikën zero. Deri në emërimin e Fazli Gajrakut, udhëhiqej me ushtrues detyre. /KOHA.net

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

VJEN PREMTIMI I MADH: Nga 671 në 840 euro, rritje e pagave të mësimdhënësve në javën e parë të qeverisjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka prezantuar në Vushtrri planin...

Shkolla “Pjetër Budi” në Lubizhdë të Hasit organizon program festiv për 28 Nëntorin

Për nder të “28 Nëntor” , SHFMU “Pjetër Budi”, organizoi një program festiv për...

Poezi nga Teutë Bajraktari Cakaj: Në dheun e tokës sime

Në dheun e tokës sime Nëpër gurë të djegur, nëpër dhe të shkrumbuar Këmbët tona të...

Mësuesja Fatlume Rexha: Një orë mësimore prej 45 minuta me 35 nxënës në klasë nuk mjafton që të ketë cilësi në mësime

Në disa shkolla në Prishtinë ka deri 40 nxënës për paralele, e disa të...