Me shumicë votash të Këshillit Mësimor-Shkencor në Fakultetin Juridik pranë Universiteti Nënë Tereza në Shkup, Kaltrina Zekolli Shaqiri është titulluar zyrtarisht Profesor Doktor Inordinar, shkruan AlbanianEducation.net.
Ajo përmes një postimi në Facebook e cilësoi këtë titull si një arritje që tejkalon dimensionin personal, duke e konsideruar atë si përgjegjësi të shtuar për kontribut të mëtejshëm në arsim dhe shkencë.
Tutje theksoi se rrugëtimi drejt këtij suksesi ka qenë i shoqëruar me sfida, sakrifica dhe punë të vazhdueshme, por i udhëhequr nga besimi se dija dhe përkushtimi japin rezultate të qëndrueshme.
Sipas saj, akademia mbetet thelbi i identitetit të saj profesional, pavarësisht angazhimeve të tjera publike.

Postimi i saj:
Sot, zyrtarisht, me shumicë votash të Këshillit Mësimor-Shkencor në Fakultetin Juridik pranë Universiteti Nënë Tereza në Shkup, u titullova Profesor Doktor Inordinar. Ky titull për mua përfaqëson jo vetëm një arritje akademike, por edhe një etapë thelbësore të jetës sime profesionale.
Ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë. Ka qenë një maratonë e gjatë, e mbushur me sfida, sakrifica dhe punë të vazhdueshme, por gjithmonë e udhëhequr nga besimi se dija, përkushtimi dhe këmbëngulja japin fryte.
Edhe pse sot ushtroj funksion politik, akademia ka qenë dhe mbetet thelbi i identitetit tim profesional vendi ku janë formësuar parimet, mendimi kritik dhe përgjegjësia ime ndaj shoqërisë.
Falënderimi më i sinqertë shkon për prindërit e mi, të cilët, me dashurinë, durimin dhe mbështetjen e tyre të palëkundur, kanë qenë shtylla kryesore që më ka çuar deri në këtë pikë. Kontributi i tyre është i pamatshëm dhe ky sukses u takon po aq sa mua.
Ky titull është një nder, por mbi të gjitha një përgjegjësi e re për të vazhduar të kontribuoj me seriozitet, integritet dhe përkushtim në arsim, shkencë dhe në shërbim të shoqërisë. Faleminderit të gjithëve që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe që kanë besuar në mua.