Ministrja Arbërie Nagavci, ka njoftuar se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka nisur zbatimin e vendimit të MAShTI për “pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL)”, shkruan Albanian Kids Education.
Me këtë vendim, Nagavci thotë se obligohen të gjitha IAL-të në Republikën e Kosovës që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim.
Njoftimi i saj:
Agjencia e Kosovës për Akreditim ka nisur zbatimin e vendimit të MAShTI për “pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL)”.
Me këtë vendim, obligohen të gjitha IAL-të në Republikën e Kosovës që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim.
Konform këtij vendimi, 2835 staf akademik në Republikën e Kosovës, deri më 31 tetor 2022, i kanë ngarkuar disertacionet e doktoratave dhe listën me publikime shkencore në platformën e AKA-së E-Akreditimi.
Këto dokumente do të ruhen me konfidencialitet të plotë nga AKA-ja dhe do të jenë subjekt i verifikimit dhe luftimit të plagjiaturës. Për të realizuar në plotni këtë projekt, MAShTI ka ndarë edhe 150 mijë euro në buxhetin e vitit 2023.
Me legjislacionin në fuqi dhe rregullativën e brendshme, AKA gjatë procesit të akreditimit zbaton standardin e “Hulumtimit” dhe standardin e “Integritetit akademik” për gjithë stafin akademik në Kosovë.
Ngritja e cilësisë në arsimin e lartë është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Për arritjen e këtij qëllimi jemi duke u angazhuar shumë që kur e kemi pranuar detyrën.