Kohët e fundit po përballemi gjithnjë e më shpesh me një fenomen shqetësues në shkolla: prindër që reagojnë ashpër ndaj mësuesve për çdo vërejtje që i bëhet fëmijës së tyre.
Natyrisht, çdo prind e do dhe e mbron fëmijën e vet. Çdo prind mendon se e njeh më mirë se kushdo tjetër dhe është i bindur për edukatën që i ka dhënë. Kjo është e kuptueshme dhe e natyrshme. Por shkolla është një hapësirë ku fëmija përballet me rregulla, bashkëjetesë dhe përgjegjësi, dhe aty shfaqet jo vetëm dijenia e tij, por edhe formimi që ka marrë në familje.
Mjafton një fjalë korrigjuese, një kërkesë për disiplinë apo një notë që nuk përputhet me pritshmëritë, dhe menjëherë lind kundërshtimi: “Unë e njoh fëmijën tim”, “Fëmija im nuk bën gabime”, “Si guxoni t’i thoni kështu?”. Në disa raste madje kërkohet me insistim edhe ndryshimi i notës, sikur nota të ishte një favor dhe jo një pasqyrim i punës së bërë.
Por duhet ta themi hapur: shkolla nuk është vendi ku shpërndahen nota për të kënaqur prindërit. Shkolla është vendi ku mësohet përgjegjësia, përpjekja dhe respekti për rregullin.
Mësuesi nuk është kundërshtari i fëmijës. Ai është njeriu që çdo ditë përpiqet të mbajë gjallë rendin, dijen dhe edukimin në një klasë me dhjetëra nxënës të ndryshëm. Një vërejtje e drejtë nuk është sulm ndaj fëmijës, por pjesë e procesit të formimit të tij.
Nëse çdo gabim mbrohet verbërisht dhe çdo kritikë shihet si padrejtësi, atëherë fëmija nuk mëson të përballet me përgjegjësinë. Ai mëson vetëm një gjë: që gjithmonë dikush tjetër do ta justifikojë.
Prindërit janë shtylla e edukimit të një fëmije, por edhe shkolla është një institucion që meriton respekt dhe besim. Kur prindi dhe mësuesi bashkëpunojnë, fëmija rritet më i fortë. Kur ata përballen me njëri-tjetrin si kundërshtarë, dëmtohet pikërisht ai që duhet të ndihmohet më shumë.
Shkolla nuk është vendi ku duhet të fitojë egoja e të rriturve. Është vendi ku duhet të fitojë edukimi i fëmijëve.