A mund ta besoni? Vetëm 8 vjeç dhe ka lexuar rreth 300 libra! Joni na befason dhe na frymëzon me dashurinë e tij për librin. Në kohën e ekranit, ai zgjedh faqet e librit si udhëtimin më të bukur. Sot, në Ditën Botërore të Librit, ai vjen si modeli i lexuesve për fëmijët por edhe për prindërit.
“Leximi është argëtimi im i preferuar, sepse çdo libër më sjell një histori të re!” Jon, 8 vjeç
Me rastin e Ditës Botërore të Librit, më 23 prill, sjellim historinë frymëzuese të një lexuesi të jashtëzakonshëm: Jon Serhati, vetëm 8 vjeç, i cili deri më sot ka lexuar rreth 300 libra! Në një botë gjithnjë e më të mbingarkuar nga ekranet, Joni është një shembull i rrallë i dashurisë për librin dhe fuqisë që ka leximi për të hapur horizonte të reja. Joni është në klasën e dytë; energjik, i çiltër dhe shumë kurioz, Joni na fton në universin e tij letrar ku bashkëjetojnë personazhe si Gregu, Jeronim Stilton, Qeni Njeri dhe Tom Gejtsi. Ai lexon kudo, edhe kur udhëton me makinë, dhe për të, një ditë ideale është ajo kur lexon një libër të mirë e më pas luan futboll me mamin.Në këtë intervistë të ngrohtë dhe plot surpriza, mësoni çfarë libri do t’i dhuronte Lionel Messit, çfarë e shtyu të dashurohej pas leximit në një udhëtim jashtë vendit, dhe ç’do të bënte për t’ia përcjellë këtë pasion edhe shokëve të tij.

Jon, mami më ka thënë se ti ke lexuar rreth 300 libra deri tani. Befasuese dhe e mrekullueshme! Të kujtohet si u ndjeve kur lexove librin tënd të parë dhe sa vjeç ishe atëherë?
U ndjeva pak i emocionuar dhe isha 6 vjeç atëherë. Libri i parë që kam lexuar është “Princi i vogël”.
Pse të pëlqeu “Princi i vogël”? A kishte diçka që të bëri ta doje shumë atë libër?
“Princi i vogël” më pëlqeu sepse kishte një histori shumë të bukur. Ai bëri shoqëri me një mik të madh dhe e ndihmoi të rregullonin aeroplanin. Më pas bëri shumë udhëtime, takoi njerëz të ndryshëm dhe në fund u takua përsëri me mikun e tij dhe u kthyen bashkë në shtëpi.
Sa libra ke në shtëpi dhe ku i ruan? Mund të na përmendësh disa nga më të preferuarit?
Tani kam 296 libra në shtëpi. I ruaj në një raft. Uffff, kam shumë të preferuar, por më i dashuri është “Ditari i Gregut – Bëje vetë librin”.
Po në atë udhëtim jashtë shtetit çfarë ndodhi që të bëri të dashuroheshe edhe më shumë me librat?
Lexova një libër që titullohej “Ngecur në videolojë”. Më pëlqeu shumë, sepse kishte një histori interesante dhe më argëtoi derisa u nis avioni.
Pse të pëlqen të lexosh, çfarë të tërheq?
Ndihem shumë mirë. Argëtohem shumë.
Cili është personazhi më i dashur për ty?
Personazhi me i dashur eshte Jeronim Stilton, Qeni Njeri, Kapiten Brekushi, Rouli nga “Ditari i Roulit” dhe Gregu nga “Ditari i Gregut”.
Do doje të jetoje një ditë me ta?
Po, shumë!
A ke ndonjë libër që të ka bërë të qeshësh shumë?
Po, kam. Është “Tom Gejts 1”.
Po ndonjë që të ka prekur zemrën?
“Ditari i Gregut 1”.
Po me i veçanti dhe pse?
“Ditari i Gregut 1”, sepse ishte libri i parë nga ditari i Gregut dhe me pëlqeu shumë historia.
Lexon edhe kur je me pushime apo fundjavave?
Po, gjithmonë kam një libër me vete.
A të kanë thënë ndonjëherë shokët e tu që duan të lexojnë më shumë, sepse të kanë parë ty?
Mami më ka thënë gjithashtu se do të doje të shkoje në Nju Jork te një librari e famshme. Çfarë do të kërkoje atje?
Në Nju Jork do doja të shkoja sepse atje ka një librari të madhe dhe në atë librari të madhe do të kërkoja Diary of Wimpy Kid –in që është botuar nga Jeff Kinney.
Nëse një shok të thotë “më mërzitin librat”, si do ta ndihmoje që të gjente një që i pëlqen?
Do t’i tregoja të gjithë librat e mi dhe do t’i thosha të zgjidhte një. Pastaj do t’ia shpjegoja historinë, sepse janë të gjitha të bukura dhe të bëjnë për të qeshur.
Po nëse do të shkruaje një libër vet, për çfarë do të ishte?
Do të shkruaja për aventurat që bëj gjatë pushimeve verore.
Cilin libër po lexon tani dhe a e ke zgjedhur vetë?
Libri që po lexoj tani është Ditari i Gregut “Bëje vetë librin”. Dhe po, e kam zgjedhur vetë. Cdo pasdite kur mbaron mami punën ne shkojmë në librari. Unë rri një orë aty dhe zgjedh librat që dua të lexoj.
Për fund, ke ndonjë fjalë apo mesazh për të gjithë fëmijët që janë duke e zbuluar botën e leximit ose ata që duan ta zbulojnë por ende se kanë bërë?
U thoni prindërve që t’ju blejnë nga çdo ditë një libër dhe ashtu ditë pas dite do të mësoni të lexoni shpejt, do mësoni shumë fjalë të reja dhe do shkrihe
ni duke qeshur nga historitë e librave.
Marrë nga Portali Shkollor