Pas përfshirjes së romanit të saj debutues „ë“ në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit 2025, shkrimtarja kosovare që jeton në Gjermani, Jehona Kicaj ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme letrare.
Ajo është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Hanna” – Çmimi Letrar i Qytetit të Hannoverit për vitin 2025, një vlerësim që nderon autorët me ndikim të veçantë në letërsinë bashkëkohore.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua të enjten në Hannover, ku Kicaj u nënshkrua edhe në Librin e Artë të Qytetit. Në fjalën e saj, ajo theksoi lidhjen e ngushtë me qytetin që e frymëzoi drejt krijimtarisë:
“Hannoveri është qyteti që më ka udhëhequr drejt letërsisë, ka mprehur mendimin tim për të dhe më ka hapur rrugën drejt shkrimit tim.”
Romani “ë”, i cili i solli këto dy vlerësime të mëdha brenda një viti, sjell rrëfimin prekës të një familjeje nga Kosova e cila, gjatë luftës, detyrohet të shpërngulet në Gjermani. Historia rrëfehet përmes syve të një fëmije, duke e bërë tregimin edhe më emotiv dhe të fuqishëm.
Suksesi i Kicajt po pritet me entuziazëm në Kosovë dhe diasporë, ku figura e saj shihet si shembull i talentit të ri letrar shqiptar që po depërton fuqishëm në skenën ndërkombëtare.

/Albinfo.ch