Pas refuzimit të Qeverisë Kurti për t’i plotësuar kërkesat e SBASHK’ut për 100 euro në muaj shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, duket se punëtorët arsimorë do t’i drejtohen edhe një herë armës së tyre më të fortë, grevave.
Ligji për Paga është shndërruar në një problematikë të madhe për sindikatat e punëtorëve të Kosovës, e sidomos për atë të arsimit, që edhe tri vite pas grevës së madhe të janarit, nuk është e kënaqur me trajtimin nga Qeveria e Kosovës. Për këtë temë, ka zhvilluar bisedë me kreun e SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj foli për mundësinë e zhvillimit të grevave të përgjithshme, si mjet i vetëm ndaj indiferencës së Qeverisë karshi kërkesave të SBASHK’ut dhe sindikatave të tjera që bëjnë pjesë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Ai tregoi për takimin e zhvilluar midis kreut të BSPK’së dhe Albin Kurtit, duke thënë se ky i fundit kishte shprehur gatishmëri për dialog, por këto kishin qenë veç fjalë.
“Ne kemi pritur një javë nëse do të ketë takime përmbajtësore dhe në ndërkohë ka ndodhur vetëm komunikim mes përfaqësuesve të Qeverisë me kryetarin Hykolli”, tha kryetari i SBASHK’ut.
“Ne në mbledhjen e se enjtes në Kryesinë Ekzekutive të BSPK’së kemi vlerësuar se kjo nuk mjafton dhe bashkërisht të gjitha sindikatat kemi vendosur që më 12 maj të mbajmë grevë njëorëshe e nëse Qeveria vazhdon të mos tregojë angazhime të duhura, atëherë do të organizojmë bashkërisht protestë masovike më 20 maj duke u përgatitur pas kësaj për grevë të përgjithshme në tërë sektorin e arsimit, që nga çerdhet e deri në universitete”, ka thënë i pari i SBASHK’ut për Gazetën Metro.
Kur u pyet për mundësinë e plotësimit të kërkesës për 100 euro nga Qeveria, Jasharaj tha se Albin Kurti nuk ka dhënë ende përgjigje të prerë as pohuese e as mohuese për këtë çështje.
Më tej, Jasharaj foli edhe për mundësinë e grevave të përgjithshme në arsim, gjegjësisht se a është i mundur paralizimi i plotë i sektorit arsimor.
“Po është i mundur dhe kështu do të ndodh”, tha Jasharaj.