Kryetari i Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Rrahman Jasharaj, deklaroi se nëse Qeveria nuk reflekton ndaj kërkesave të grevistëve, 1 shtatori do t’i gjejë nxënësit në shtëpi.
Ai tha të martën në konferencë për media, se kanë zhvilluar takime nëpër komuna dhe greva po mbahet “në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Kërkesat e grevistëve janë legjitime dhe në rrugë të Zotit. Grevat do të zgjasin sa të thonë ata. Greva do të duket edhe më e fuqishme më 1 shtator, së bashku me kolegët në çerdhe, në arsim, që janë në punë, por nuk kryejnë asnjë detyrë dhe nëse vazhdohet kështu, 1 shtatori do t’i zë nxënësit në shtëpi”, deklaroi Jasharaj.
Kryetari i SBASHK-ut, Jasharaj, theksoi se Qeveria Kurti nuk po shpreh dhembje për mësimdhënësit, por po vazhdon me kërcënime ndaj grevistëve.
“Po të donte Qeveria të shprehte dhembjen, po ta kishte dhembjen se nxënësit do të humbin orë, në vend të kërcënimeve, Kurti e Murati do të uleshin me përfaqësues të sindikatave. Do të insistojmë që të përgatitet lënda dhe adresa tanimë dihet, do të drejtohet ndaj ministrit Murati, që publikisht në vend që të jetë zë i Qeverisë për ulje të tensioneve, ai kërcënon. Qëllimi i tij ka qenë ta kërcënojë dikë dhe ta ngufasë zërin”, shtoi ai.
Jasharaj bëri të ditur se po përgatisin padi ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, rreth deklarimeve për mësimdhënësit, përkatësisht për fondin e SBAHK-ut.
“SBASHK-u, BSPK-ja dhe të gjithë grevistët do t’i përdornin mundësitë ligjore për t’iu kundërvënë tensioneve”, tha ai.
Ali Gashi nga Këshilli Drejtues i BSPK-së, tha se janë të shokuar nga deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Sipas tij, ky presion ka për qëllim frikësimin e sindikatave dhe të grevistëve.
Gashi ka thënë se Qeveria nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë me kërkesat e sindikatave.
“Unë dëshiroj të apeloj te të gjithë zyrtarët publikë, që të mos e nënshkruajnë asnjë listë. Edhe udhëheqësit e lartë administrativ nuk duhet të bien pre e këtyre presioneve. Ka tendencë për ta frikësuar dhe për t’ia mbyllur gojën sindikatës dhe ky është lajm i keq për demokracinë”, ka thënë ai.
Tutje, Jasharaj ka apeluar te drejtoritë lokale që të mos bien pre e presioneve. Sipas tij, për hir të nxënësve kanë lejuar që të mbahet testi i arritshmërisë.
“Ju lutem të mos bëni lista false për t’i ndihmuar një njeriu që është kundër demokracisë, e ai është Hekuran Murati”, ka thënë ai, duke shtuar se janë të gatshëm të ulën me Qeverinë. Sipas tij, shuma e kërkuar nga mësimdhënësit është simbolike.
Grevistët kërkojnë nga 100 euro në muaj, shtesë, deri në miratimin e Ligjit për pagat.
Jasharaj ka thënë se mohimi, sipas tij, i kësaj të drejte, është i padrejtë.
“Deklarata e Muratit te anëtarësia jonë për miliona ka qenë e kotë. Të gjithë i dinë të hyrat tona. Murati nuk e ka lexuar ligjin sindikal dhe statutin tonë i cili është i publikuar. Këtë buxhet nuk e kemi mbledhur me nda rroga sepse nuk e kemi këtë fuqi. Ne nuk kemi buxhet për të paguar paga dhe nuk jemi të thirrur për ta bërë këtë. Ligji e thotë qartë që e kanë obligim t’i paguajë shteti. Edhe populli ka filluar ta kuptojë që nuk është faji te sindikatat por te Qeveria”, tha ai.
Sipas tij, duke kërcënuar nuk do të ketë kurrë qetësi.
Jasharaj ka thënë se Qeveria nuk do të mund t’i godasë grevistët.
Ai ka thënë se shumë juristë kanë ofruar ndihmën e tyre për punuar në lëndën kundër Muratit.
Në një konferencë për media të hënën, Murati ka thënë se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, për pesë vjet ka mbledhur fond prej 3.2 milionë eurosh në emër të anëtarësisë dhe se me këto mjete do të duhej t’i paguante punëtorët e arsimit nëse i thërret për grevë.
“Në pesë vjetët e fundit, SBASHK-u nga thesari, pra janë mjete që kanë dalë nga pagat e punëtorëve të arsimit me urdhër të SBASHK-ut dhe i janë transferuar SBASHK-ut në llogari, për pesë vjetët e fundit janë 3.148.721 euro, pra janë gati 3.2 milionë euro që pesë vjetët e fundit SBASHK-u i ka marrë në emër të anëtarësisë dhe pyetja që do të duhej të shtrohej është se çfarë ka ndodhur me këto mjete? Ky është fondi që do të shfrytëzohej për t’i paguar punëtorët e arsimit nëse SBASHK-u do t’i ftonte në grevë”, ka thënë Murati.
Jasharaj shtoi se greva do të zgjasë deri kur Qeveria të nis zbatimin e kërkesave të SBASHK-ut.
“Kur ka grevë ka humbje mësimi, kemi bërë të pamundurën ta shpëtojmë vitin shkollor. Cilin hap na e dha shteti neve, asnjë. Greva do të zgjasë aq sa është vullneti i anëtarësisë. Jam fascionuar me organizimin e grevës nga administrata. Mësuesi i lënduar, i mëson nxënësit, por zemrën e ka të lënduar. Greva do të ndalet kur Qeveria ulet dhe bisedon me ne”, tha ai.