Më 1 shkurt zyrtarisht do të hyjë në fuqi Ligji për paga për sektorin publik, mirëpo vlera e koeficientit ende nuk është bërë e ditur.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se më shumë është diskutuar rreth vlerës së koeficientit gjatë periudhës kur ishin në grevë sesa tani. Sipas tij, punonjësit e arsimit, por edhe të gjithë ata që janë sektorin publik, janë stres nga pritja për koeficientin.
Ai uron që Qeveria e Kosovës të mos zhgënjejë punëtorët e sektorit publik pasi, sipas tij, një punonjës i zhgënjyer është më e rëndë se një grevë.
“Më shumë vlera e koeficientit është përmendur gjatë grevës, ndoshta për të ndikuar tek opinioni, pastaj çështja e koeficientit heshti. Sa i takon vet koeficientit, SBASHK-u është shprehur i kënaqur ngase shumica e propozimeve tona janë përfillur, mirëpo edhe SBASHK-u dhe të tjerët janë në stres, ngase publikimi zyrtar i koeficientit po mungon… Urojmë që qeveria të mos bëjë veprime të cilat do të bënin edhe një zhgënjim dhe acarim të situatës, ngase edhe nëse e përjashtojmë në tërësi grevën në sektorin arsimit dhe të tjerë, shtetit tonë nuk i duhen as mësimdhënës, punëtorë të çerdheve, ngase si të tillë ata që me vite e kanë pritur një Ligj të pagave dhe gjithmonë janë shprehur se me Ligjin e pagave presin ngritje të pagave, ngase një ngritje nuk e kanë parë tani e sa vite. Për shtetin do të ishte shumë më e keqe se greva, punëtorë në sektorin publik të zhgënjyer e të dëshpëruar dhe kur janë të tillë ata nuk do të jenë edhe në nivel të duhur të detyrave të veta”, thotë Jasharaj për kp.