Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se është vendosur që të bëhet zëvendësimi i të gjitha orëve të humbura dhe pushimi dimëror të fillojë më vonë.
Jasharaj theksoi se nëse nxënësit rrezikohen të preken nga Covidi, atëherë duhet të vazhdohet me mësimin online, i cili do të jetë mjaft i vështirë sepse mungojnë pajisjet.
“Task-Forca brenda MAShT janë dakorduar dhe kanë dhënë në të gjitha shkollat një propozim një kalendar të zëvendësimeve ku janë paraparë disa të shtuna. Pushimi dimëror do të fillojë më vonë dhe është planifikuar zëvendësimi të të gjitha ditëve të humbura. Uroj që ministria e Shëndetësisë por edhe Task-Forca brenda MAShT ta përcjellin situatën jo vetëm në Kosovë por edhe rreth nesh”.
“Mësimdhënësit do të veprojnë sipas situatës dhe t’i respektojnë vendimet e IKShPK, ministrisë së Shëndetësisë por edhe të MAShTI. Dhe nëse ata e shohin se mësimi me prani fizike veç po mbetet i rrezikuar atëherë ne me të gjitha mundësitë do të angazhohemi në mësimin online, i cili nuk është më i miri ngase ka mungesë të pajisjeve, numër të konsiderueshëm të nxënësve që nuk do të mund të kyçen fare dhe do të jetë vit më i vështirë. Por ne do të angazhohemi të arrijmë atë që mundemi brenda mundësive dhe rrethanave të krijuara”, ka deklaruar ai.