Rritja e mungesave të nxënësve dhe sfidat në cilësinë e mësimit po e mbajnë sistemin arsimor në Kosovë nën presion të vazhdueshëm. Problemet si mungesa e infrastrukturës moderne, metodat tradicionale të mësimdhënies dhe rënia e motivimit te nxënësit po ndikojnë drejtpërdrejt në procesin edukativ dhe në rezultatet e shkollave.
Sipas të dhënave të fundit, vetëm gjatë një gjysmë-vjetori janë regjistruar rreth 4 milionë mungesa të nxënësve, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre janë pa arsye, duke ngritur alarmin për gjendjen në shkolla.
Në këtë situatë, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj vlerëson se nevojiten reforma më të thella për ta bërë shkollën më atraktive dhe më funksionale për nxënësit, duke përfshirë përmirësimin e kushteve, digjitalizimin e mësimit dhe bashkëpunim më të madh me prindërit.
Jasharaj ka deklaruar se mungesat e nxënësve në shkolla janë shenjë shqetësuese dhe tregojnë se ambientet shkollore nuk janë mjaftueshëm tërheqëse.
Sipas tij, nëse kushtet do të ishin më të mira, nuk do të kishte kaq shumë mungesa, andaj institucionet duhet të reagojnë urgjentisht dhe të analizojnë shkaqet e kësaj gjendjeje në bashkëpunim me prindërit dhe akterët tjerë të arsimit.
“Mungesa është një gjë jo shumë ë mirë dhe kjo tregon se shkollat nuk janë shumë ambiente të ngrohta për nxënësit ,përndryshe nuk do të kishim kaq mungesa. Institucionet duhet te merren e urgjence me këtë çështje e te shohim ne bisedë me prindërit e te tjerët se pse ndodh kjo”, tha Jasharaj për FrontOnline.
Rrahman Jasharaj: Rënia e numrit të nxënësve në zonat rurale rrezikon mbylljen e disa shkollave
Jasharaj thotë se shkollat në Kosovë ende nuk janë në nivelin e shekullit XXI, pasi mësimi vazhdon të zhvillohet kryesisht me tekste tradicionale dhe mungojnë kushtet moderne që do ta bënin procesin më tërheqës për nxënësit.
‘’ Shkollat e Kosovës nuk janë ato të shekullit XXI sepse mësimi zhvillohet me shumësa shpuza e tekste shkollore dhe si të tilla nuk janë ambiente shumë tërheqëse për nxënësit’’, deklaroi ai.
Jasharaj shton se duhet investuar më shumë në arsim, në mënyrë që nxënësit të shkojnë me dëshirë në shkolla dhe të ketë bashkëpunim më të mirë mes tyre dhe mësimdhënësve. Sipas tij, megjithëse mësimdhënësit janë të përkushtuar, rezultatet nuk janë gjithmonë në nivelin e pritur.
‘’ Duhet bërë shumë që të kemi arsim e shkolla sa më të mira që nxënësit të shkojnë me dëshirë në shkolla e të bashkëpunojnë me mësimdhënësit .Punëtorët e arsimit në përgjithësi janë të përkushtuar dhe edhe pse punojnë shumë rezultatet nuk janë ato që3 duhet të ishin’’, thotë Jasharaj.
Për rënien e numrit të nxënësve në zonat rurale Jasharaj thotë se mund të sjellë probleme serioze në të ardhmen, përfshirë edhe mbylljen e disa shkollave nëse nuk ndërmerren masa konkrete.
“Në zona rurale kemi goxha mungesë të nxënësve dhe kjo do të paraqesë problem, në të ardhmen institucionet do të ishte dashur të kenë një strategji çfarë tutje kur shkollat nuk kanë nxënës sa duhet dhe mund të vijë deri tek mbyllja’’, tha kreu i SBASHK-ut.