Një rrëfim i sinqertë dhe emocionues profesori Fitim Veliu nga Drenica ka prekur shumë njerëz në rrjetet sociale, duke rikthyer vëmendjen te sakrifica që shumë të rinj kanë bërë dikur për të ndjekur studimet.
Ai ka treguar se në kohën kur vendosi të vinte në Prishtinë për universitet, kishte vetëm 2 euro në xhep.
“Vendosa që të vij në Prishtinë dhe jam nis me 2 euro në xhep. Javën e dytë nana më tha: ‘Ku po shkon?’. I thashë: ‘Në Universitet’. Më pyeti: ‘A ke para?’. I thashë: ‘I kam 2 euro’”,ka rrëfyer ai, në emisionin “E diela vlen”, në ATV, shkruan AlbanianEducation.net.
Profesori kujton se nëna e tij, për ta ndihmuar, mori një këndus dhe një pulë, të cilat ai i futi në thes dhe i shiti më pas në Skenderaj, vetëm për të siguruar paratë e nevojshme për të ndjekur ligjëratat e para në universitet.
“Me ato para jam nis me i dëgju dy ligjëratat e para. Kur kam ardh në Prishtinë, menjëherë kam kërkuar punë. Ka pas ligjërata që i kam mbajtur gjysmë zgjuar, gjysmë fjetur”, ka dekalaruar ai.
Sot, ai thotë se një situatë e tillë duket pothuajse e paimagjinueshme për brezat e rinj, por mbetet dëshmi e fortë e sakrificës dhe përkushtimit për arsimim.
“Kur e kujtoj sot, një situatë e tillë jo që do të ishte e pamundur, por e paimagjinueshme”, përfundon rrëfimi i tij.