Ish-ministrja e Arsimit: Subvencionimi i teksteve shkollore, metodë e dështuar

- Advertisement -

Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, e quan të dështuar modelin aktual të ndarjes së librave, duke e cilësuar si barrë për familjet dhe pabarazi për nxënësit.

- paragrafi 1 -

Ajo thekson se kjo praktikë po krijon barrë të panevojshme për prindërit dhe mësimdhënësit për të tretin vit me radhë. Sipas saj, forma aktuale e ndarjes së subvencioneve është joefikase dhe më e kushtueshme sesa modeli i mëparshëm i shpërndarjes direkte nga Ministria.

- Advertisement -

“Vonesa në hapjen e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore, veçanërisht kur jemi vetëm dy javë larg 1 shtatorit, paraqet vështirësi të mëdha për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Kjo situatë që tri vite radhazi po rëndon barrën financiare dhe organizative të familjeve dhe mësimdhënësve. Kjo formë e subvencionimit tashmë është dëshmuar si e dështuar. Kalimi i përgjegjësisë te prindërit për blerjen e librave ka treguar mangësi në efikasitet dhe kontroll. Është dëshmuar se i ka kushtuar më shumë buxhetit të shtetit në krahasim me metodën e mëparshme, kur librat siguroheshin drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit dhe fëmijët i gjenin ato mbi banka që në ditën e parë të shkollës”, tha ajo për Gazeta Blic.

Bajrami akuzon MASHT-in për mungesë përgatitjeje në implementimin e kësaj metode, duke përmendur mungesën e mekanizmave të kontrollit dhe vështirësitë e prindërve në qasje.

“Për më tepër, MASHT-i ka ndryshuar mënyrën e subvencionimit të librave pa u siguruar fare për kapacitetet e librarive, qasjen e prindërve në këto librari, pa krijuar mekanizmat e kontrollit për subvencionet dhe pa caktuar afate, duke i lënë prindërit në pritje, si tani. Mandej, MASHT-i me këtë formë të subvencionimit ka anashkaluar edhe ndikimin që ka kjo metodë te prindërit dhe nxënësit me gjendje jo të mirë ekonomike. Këto familje mund t’i shpenzojnë paratë e librave për nevoja të tjera elementare, duke lënë nxënësit pa disa prej teksteve të nevojshme, siç është dëshmuar në dy vitet e kaluara. Kjo jo vetëm që vështirëson fillimin e procesit mësimor, por edhe rrit pabarazinë në mes të nxënësve”, shprehet ajo.

- Advertisement -

Bajrami bën thirrje për kthim te modeli i shpërndarjes falas të librave në shkolla dhe thekson nevojën që vendimmarrja për çështje logjistike të bëhet me përfshirjen e prindërve, mësimdhënësve dhe ekspertëve.

“Qeveria e LVV-së e përsërit veprimin e njëjtë, duke shpresuar se do të japë rezultat tjetër. Këta janë të vetmit që njohim që, për të mos e pranuar dështimin, e përsërisin atë në vazhdimësi. Për fund, më lejoni të potencoj që është e domosdoshme që librat të ofrohen falas dhe ato të jenë mbi banka shkollore më 1 shtator. Ministria e Arsimit duhet të merret shumë më shumë me përmbajtjen e librave sesa me formën se si këto libra arrijnë në duart e nxënësve kjo është çështje thjesht logjistike dhe, për çfarëdo ndryshimi që ka të bëjë me këtë çështje, vendimmarrja duhet të përfshijë Këshillin e Prindërve, mësimdhënësit dhe ekspertët e arsimit, për të krijuar një sistem transparent dhe efikas. Mund të studiohen modele të suksesshme në vende të ndryshme të cilat ofrojnë libra falas për nxënësit e shkollave publike, por duhet evituar çdo ndryshim që sjell vonesa dhe shkakton përkeqësim të gjendjes aktuale. LVV ka dështuar në arsim, sikur në çdo fushë tjetër – kjo është e faktuar”, tha ajo.

Ndërsa, Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHKU-ut, ka ngritur shqetësimin se edhe këtë vit shkollor nxënësit mund të mos jenë të pajisur me tekste mësimore që nga dita e parë e shkollës.

Në anën tjetër, SBASHK-u ka përcaktuar 20 gushtin si afatin e fundit për fillimin e dialogut me Ministrinë e Arsimit. Në rast të mungesës së përgjigjes, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do të mblidhet për të shqyrtuar veprime sindikale, përfshirë edhe grevën.

Kujtojmë se, Ministrja Arberie Nagavci njoftoi se tashmë prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore, duke përdorur Platformën e-Kosova.

Sipas njoftimit, nxënësit nga klasa 1 deri në klasën 5 do të përfitojnë 80 euro për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, ndërsa nxënësit nga klasa 6 deri në klasën 9 do të mbështeten me 80 euro për fletore pune dhe materiale mësimore.